Lajme Shqip Wednesday, 29 July 2015 11:27

Ky respekt kaq i munguar i lidershipit të PDK për degën në Gjilan ishte i pritur sepse me vite të tëra përgjatë dy mandateve të kaluara ne nuk ishim të përfaqësuar as për së afërmi meritueshëm në qeveri dhe në strukturën tjetër shtetërore (në agjensione e borde të saj e të kuvendit). Ne nuk ishim të përfaqësuar meritueshëm dhe nuk jemi as sot në parti në qendër shprehet Qemajl Mustafa ish kryetar i komunës së Gjilanit.

Me rastin e botimit të një liste (të radhës) për zëvendësministrat në qeverinë Mustafa – Thaçi, ish kreu i Gjilanit Qemajl Mustafa dhe pjesë e kryesisë së dikurshme të PDK-së nuk ka ngurruar sërish të flas hapur e sinqerisht për këtë zhvillim politik. Janë të pakët politikanët sikur Qemajl Mustafa që ka guxuar gjithmonë të thotë hapur opinionin e tij edhe kur ai është kundërshtues dhe mos pajtues me vijat e shefit të tij apo të vetë partisë.

I pyetur nga rajonipress se çfarë mendon ai për listën e fundit të zv.ministrave ku nuk figuron asnjë nga Anamorava, Qemajl Mustafa tha se ky respekt kaq i munguar i lidershipit të PDK për degën në Gjilan ishte i pritur sepse me vite të tëra përgjatë dy mandateve të kaluara ne nuk ishim të përfaqësuar as për së afërmi meritueshëm në qeveri dhe në strukturën tjetër shtetërore (në agjensione e borde të saj e të kuvendit). Ne nuk ishim të përfaqësuar meritueshëm dhe nuk jemi as sot në parti në qendër.

 “Lejuam përherë që të na e japin atë që deshën ata e nuk e morëm kurrë atë që e merituam me punën tonë. Nisi edhe mandati i tretë pa asnjë post ministri deri tashti (një e kishim për pak kohë dhe rezultoi me shkarkim). Vendosja e ndonjë zëvendesministri tashti pas shtatë muajve të qeverisjes, për ta “joshur” Gjilanin assesi nuk do të ishte satisfaksioni për ne” tha Mustafa.

Qemajl Mustafa thotë se Dega në Gjilan e ka humbur rrugën moti dhe ka devijue shumë dhe larg. Sidomos që nga viti 2010 e këndej. “Ne nuk u bëmë bashkë asnjëherë rreth interesit te degës e të komunës derisa ishim në qeverisje. Kemi lejuar dhe kemi pranuar që të tjerët të vendosin për ne në Prishtinë. Kështu jemi defaktorizue përditë dhe sot paraqesim hiçgjë në tavolinën e H. Thaçit sikur edhe në tavolinën e Isa Mustafes. Në këtë periudhë kaq të gjatë në qeverisje u joshën vetëm individët dhe familjet e fisi i tyre. Janë këta individët që e “perfaqësojne” degën e PDK të Gjilanit në Prishtinë pa ia dhënë asnjë argat asaj. Ata sollën vendime për Gjilanin duke i keqinformuar dhe duke i manipuluar udhëheqësit në qendër. Këtë e bënë pa e marrë mendimin tonë që ditë e natë punuam për degën dhe për komunën. Kjo siç po e shihni doli të jetë tërësisht e gabuar, e dëmshme dhe e padrejtë për degën në Gjilan, për partinë si tërësi dhe për komunën” thotë Qemajl Mustafa.

Mustafa thotë se kushdo që e qeverisë PDK-në në qendër nuk do të ketë sukses në ditët që vijnë nëse nuk i kthehet me guxim reformës së thellë e gjithëpërfshirëse në parti. Nuk do të ketë sukses nëse tentohet të imponohen zgjidhje nga qendra e vendosjes sepse puna e mirë, puna e sinqertë në nivelin lokal dhe vullneti i lirë i aktivistëve shumëvjeçar nuk duron përdhunim dhe përdhosje.

 “Do të duhej sot të bëhej pyetja: ku është dega e PDK sot? Përgjigja e saktë dhe e drejtë do t’i gëzonte vetëm rivalët e degës, armiqtë e saj dhe ndonjë injorant brenda vet degës por assesi shumicën absolute të atyre që e rritën këtë degë dhe e bënë fituese disa herë.

Sa më përket mua personalisht, unë u kam dhënë rast të tjerëve në degë që të “bëhen” zëvendësministra. Nuk është në natyrën time që të vrapoj pas ndonjë pozicioni pa miratimin dhe pa interesin e atyre që dy herë më kanë fuqizuar me besimin dhe punën e tyre për kryetar të një komune të madhe”.

Aq më pak është në natyrën time që pas 18 muajve të injorimit total të vrapoj pas një posti shterpë e të pavlerë të një zëvendësministri. Këtë “benefit” le ta gëzojnë ata të cilëve jargët u rrjedhin për sorollatje, për manipulime, shpifje dhe për përfitime pa punë. Të tillë fatkeqësisht, në parti e në degën tonë ka përherë.

Gjilani duhet më në fund të kthjellet sepse përfundimisht nuk e gëzon respektin dhe nuk e merr hisen e meritueme nga PDK për vite të tëra e te partitë tjera si rasti i LDK ekziston e kundërta – ata nuk dijnë ta marrin dhe ta materializojnë edhe kur ua japin rastin thotë Mustafa./rajonipress/