Lajme Shqip Saturday, 04 February 2012 17:39

Mitrovicë – Sot ka reaguar edhe KMLDNJ-ja në Mitrovicë përmes një informate publike në të cilën i konfirmon edhe njëherë publikimet dhe dosjet e publikuara nga Portali LajmeShqip.com. Publikimin për rastin në fjalë mund ta gjeni këtu.

Informatën e plotë e KMLDNJ-së në vazhdim: Nga kryetari i KMLDNJ-së në Mitrovicë, Halit Berani – Sot kur u mbushën plotë 12 vjet nga masakra ndaj shqiptarëve që jetonin në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, më duhet sërish të ngre zërin për mosfunksionimin e drejtësisë, mosangazhimin e organeve të hetuesisë dhe indiferencën e institucioneve ndërkombëtare dhe të vendit, që gjatë gjithë këtyre viteve nuk treguan as respektin më të vogël për viktimat e dhunës barbare që ndaj tyre ushtruan ekstremistët serbë nga veriu i okupuar i Mitrovicës.

Është për tu habitur se si përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare që i kanë pasur dhe ende i kanë përgjegjësitë për veriun e vendit, por edhe ata të institucioneve të republikës së Kosovës, nuk ndërmorën pothuaj asgjë për ndriçimin e vrasjeve dhe terrorit që ndaj shqiptarëve të pafajshëm ushtruan kriminelët serbë në pjesën e okupuar të qytetit të Mitrovicës, e të cilët qysh atëherë janë identifikuar nga vetë viktimat dhe ata dihen me emër e mbiemër.

Nuk është kurrë e tepërt nëse sërish opinionin e njoftojmë se natën në mes të datës tre dhe katër shkurt ti vitit 2000, në veriun e Mitrovicës nga bandat kriminele serbe, u ekzekutuan në shtëpitë dhe banesat e tyre, pa as më të voglin shkas, përveç se ishin shqiptarë, dhjetë (10) qytetarë, në mesin e të cilëve kishte fëmijë, gra dhe pleq. Atë natë të tmerrshme  u vranë: Nderim Ajet (13), Nerimane Xhaka (42), Remzije Canhasi (56), Selime Berisha (60), Nezir Voca (61), Shqipe Voca (54), Bashkim Rrukeci (38), Nimon Sejdiu (52), Sebiha Abrashi (50) dhe Muharrem Sokoli (51).

Po atë natë nga të njëjtat banda e kriminelë, të udhëhequr, sipas dëshmitarëve-viktimave, nga Oliver Ivanoviq dhe Dragan Delibashiq, (të cilët sot jetojnë lirshëm në pjesën veriore të qytetit),  u plagosen rëndë 25 shqiptarë të tjerë, kurse u keqtrajtuan rëndë fizikisht 93 të tjerë. Kriminelët serbë në të njëjtën kohë filluan përndjekjen e përgjakshme të shqiptarëve nga banesat dhe shtëpitë e tyre, me qëllim të spastrimit etnik të kësaj pjese të qytetit, e cila edhe sot është e okupuar po nga ata kriminelë.

Vetëm natën në mes të datës tre dhe katër shkurt, me dhunë nga veriu i Mitrovicës u dëbuan rreth 100 familje shqiptare. Përndjekja e shqiptarëve vazhdoi me internistët të shtuar edhe në ditët në vijim, kështu që gjatë muajit shkurt  të vitit 2000 nga veriu i Mitrovicës u dëbuan me dhunë e të përgjakur mbi 1.500 familje shqiptare.

Ekipit për dëbimin e shqiptarëve ju kanë pri Oliver Ivanoviq, Dragan Delibashiq, Zharko Kosovac, Miodrag Raliq, Dushko Shiligoviq, Ivan Mandiq, Rade Spasojeviq etj. Për këtë dëshmojnë  Shpend Hasani, Kemajl Gucati, Rexhep Hyseni, Shaban Azemi, Jashar Jashari etj. Këta dëshmitarë dhe të tjerët tregojnë se masakra e asaj nate është bërë para syve të ushtarëve francez dhe policëve të UNMIK-ut, të cilët nuk ndërmorën asgjë për mbrojtjen e viktimave nga terrori i kriminelëve.

Qendra Rajonale e KMDLNJ-së në Mitrovicë, shpreh habinë se si është e mundur që organet e hetuesisë, qofshin ato ndërkombëtare, apo të vendit, të heshtin para këtyre fakteve dhe të mos ndërmarrin asgjë për kapjen dhe dënimin e  atyre që i bënë këto krime monstruoze, ndërkohë që nuk janë raste të rralla, kur këto organe shpenzojnë kohë e mund duke bërë hetime ndaj atyre për të cilët nuk kanë as fakte e as dëshmitarë.

Në 12 vjetorin e kësaj masakre, Qendra Rajonale e KMDLNJ në Mitrovicë kërkon drejtësi për viktimat dhe dënimin e kriminelëve, të cilët janë qysh atëherë të identifikuar nga viktimat dhe dëshmitarët tjerë okular. (LajmeShqip.com)