Lajme Shqip Saturday, 31 March 2012 18:41

Prishtinë-Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës dënon arrestimin e dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga Policia e Republikës së Serbisë, në vendkalimin kufitar ndërmjet dy vendeve, në Merdare, dhe e cilëson akt të papranueshëm dhe sulm mbi institucionin profesional policor.

“Arrestimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, në detyrë, është sulm mbi integritetin institucional e territorial të Republikës së Kosovës. Arrestimet e shpeshtuara të qytetarëve të Republikës së Kosovës, nga autoritetet e Republikës së Serbisë, nuk kontribuojnë në vendosjen e marrëdhënieve të mira ndërmjet dy vendeve. Shkelja e të drejtave të njeriut të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe posaçërisht cenimi i integritetit të institucioneve profesionale të Republikës së Kosovës, është akt i dënueshëm dhe i patolerueshëm”, thuhet në deklaratën e zyrës së Presidentes Jahjaga.

Zyra e Presidentes së Republikës kërkon nga autoritetet e Republikës së Serbisë që të heqin dorë nga këto provokime dhe veprime arbitrare ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj dhe të lirojnë të gjithë ata që janë arrestuar pa arsye.

Ndërkohë, ajo i bën thirrje autoriteteve ndërkombëtare që të kërkojnë nga Republika e Serbisë, që të respektojë integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe të respektojë ligjet e normat ndërkombëtare për kufijtë ndërshtetërorë dhe ndërkombëtarë. (LajmeShqip.com)