Lajme Shqip Tuesday, 02 April 2013 15:43

Beograd – (E plotësuar) Bashkimi Europian ka njoftuar se Prishtina dhe Beogradi nuk kanë mundur të arrijnë një marrëveshje, as pas negociatave që kanë zgjatur më shumë se 12 orë.

Baronesha Catherine Ashton, ka lëshuar një komunikatë për media, pak pas mesnatës ku ka njoftuar se ky është takimi i fundit formal. Ajo ka thënë se palët kanë mospajtime të thella. “ Kjo është hera e fundit që po takohemi formalisht. Një numër propozimesh ishin në tavolinë. Hendeku mes dy palëve është i ngushtë por shumë i thellë” thuhet në njoftim.

Por Ashton e cila ka ndërmjetësuar negociatat e nivelit të lartë nuk i ka humbur krejt shpresat.

“Ata ( Kryeministrat) do të kthehen prapa dhe do të konsultohen me kolegët në kryeqytetet e tyre dhe do të më tregojnë gjatë ditëve të ardhshme për vendimet e tyre” ka thënë Ashton.“ Unë u dëshiroj udhëtim të mirë edhe sukses në arritjen e marrëveshjes”

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë të martën janë përballur për të tetën herë brenda 6 muajve të fundit. Pikërisht në takimin që është konsideruar vendimtar ,janë acaruar raportet ndërmjet delegacioneve.

Sipas burimeve, gjatë takimit janë fjalosur Kryeministri Thaçi dhe Zëvendëskryeministri i Parë serb Aleksandar Vucic.Kontesti aktual ndërmjet palëve është Asociacioni i komunave me shumicë serbe, për të cilin Serbia synon të marrë edhe kompetenca në gjyqësi dhe polici. “Pavarësisht se kishim negociata të gjatë dhe në formate të ndryshme nuk mundëm të arrijmë deri te marrëveshja e plotë për këto tema. Ne aktualisht nuk kemi marrëveshje, kemi ende kohë që të arrijmë te një zgjidhje” ka thënë Dacic.

Ndërkohë Kryeministri Thaçi ka thënë se asociacioni i komunave serbe nuk do të ketë asnjë herë kompetenca ekzekutive dhe legjislative. Sipas tij, raundi i ardhshëm mund të mbahet qysh në javën e ardhshme nëse Serbia pajtohet me këto qëndrime.

Baronesha Catherine Ashton do të raportojë për rezultatin e bisedimeve më 16 prill, në Bruksel.

Nëse deri atëherë nuk ka një marrëveshje, Serbia nuk do të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa Kosova nuk pritet të përfitojë në procesin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Përfundon takimi, Nuk ka marrëveshje

(E plotësuar) Ka përfunduar takimi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradi në Bruksel pa arritur marrëveshje. Një gjë e tillë është konfirmuar nga Kryeministri serb i cili është duke folur para mediave ndërsa është pohuar edhe nga Kryeministri Thaçi.

Së shpejti pritet edhe një njoftim për media nga Bashkimi Europian.

Përsëri bashkë në takim

(E plotësuar) Dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është duke vazhduar.

Kështu ka deklaruar Maja Kocijancic, zëdhënëse e Baroneshës Ashton, në një njoftim për media.

“Pas një serie të takimeve bilaterale me të dyja delegacionet Përfaqësuesja e Lartë Ashton është tani duke takuar Kryeministrin Dacic dhe Kryeministrin Thaçi me ekipet e tyre” ka thënë Kocijancic.

Delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit janë duke biseduar për më shumë se 10 orë, ndërsa ende nuk dihet nëse do të mund të arrijnë marrëveshje gjatë këtij raundi.

***********************************************************

Bruksel – (E plotësuar) Gazeta Express ka mësuar më shumë rreth përplasjes që ka pasur pala kosovare dhe ajo serbe gjatë ditës, në raundin e tetë të bisedimeve.Mësohet se fjalosja ka ndodhur ndërmjet Kryeministri Thaçi dhe Zëvendëskryeministrit të parë serb Aleksandar Vucic.

Një burim i gazetës kështu e ka përshkruar situatën.“Takimi është ndërprerë kur ka filluar përplasja e Kryeministrit Thaçi me radikalin Vucic. Vucic ka thënë Thaçi se Serbia ka Kushtetutën e saj dhe Kosova është në Kushtetutën e saj.

Kryeministri Thaçi ka reaguar duke thënë se “mua nuk më intereson se çka shkruan në Kushtetutën tuaj . Ne e kemi Kushtetutën tonë dhe shtetin tonë. Nëse ju rrihet në takim mund të rrini, nëse je mund të dilni” ka transmetuar një burim i gazetës fjalët e Kryeministrit. Sipas burimeve pas kësaj, Ashton ka realizuar takime të ndara me ekipet negociatore, të cilat ende janë duke vazhduar.

Vazhdojnë pas përplasjeve

(E plotësuar) Pala kosovare dhe ajo serbe kanë vazhduar bisedimet në Bruksel, pak pasi negociatorët kanë biseduar me tone të larta, në takimin e ndërmjetësuar nga Baronesha Ashton.

Zëdhënësja e Ashton, Maja Kocijancic nuk ka raportuar për ndonjë progres gjatë ditës por vetëm ka thënë se takimet po vazhdojnë.

***************************************************

Bruksel – (E plotësuar) Burime të gazetës Express kanë bërë të ditur se takimi i përbashkët, në Bruksel, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ka rezultuar me përplasje të ashpra ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë.

Mësohet se gjatë bisedimeve, Thaçi në njërën anë, dhe Dacic e Vucic në anën tjetër, kanë ngritur zërin ndaj njëri – tjetrit.

“Pas kësaj situate Baronesha Ashton ka kërkuar një pauzë dhe aktualisht negociatorët ndodhen në pauzë”, ka thënë një burim i gazetës.

Shefi i zyrës serbe për Kosovë Aleksandar Vulin, i cili ndodhet në Bruksel, ka thënë se aktualisht atje po zhvillohen negociatat më të vështira ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Ai po ashtu ka theksuar se ky raund nuk është përfundimtar për Serbinë.

Ndërkohë zëdhënësja e Ashton, Maja Kocijancic nuk ka raportuar për ndonjë progres gjatë ditës por vetëm ka thënë se takimet po vazhdojnë.

Kocijancic: Po punojmë me krejt fuqitë që të kemi marrëveshje

Maja Kocijancic, zëdhënëse e Baroneshës Catherine Ashton ka deklaruar se dialogu Prishtinë – Beograd ndodhet në një fazë kyçe dhe se po punohet që të arrihet sa më shpejtë një marrëveshje.

E pyetur nëse Brukseli i ka dorëzuar palëve ndonjë draft me propozime që duhet të nënshkruajnë në fund, Kocijancic ka thënë se nuk mund të konfirmojë këtë.

“Jo . këto janë negociata. Ata po bisedojnë për çështje konkrete. BE është vetëm ndërmjetës. Nuk mund të konfirmojë ekzistimin e ndonjë dokumenti,vetëm mund të them se po punojmë me krejt fuqinë që të kemi marrëveshje për çështjet që janë në tavolinë” ka thënë Kocijancic.

Ajo nuk ka mundur të thotë nëse do të ketë edhe ndonjë takim të ri ndërmjet palëve.

(E plotësuar) Catherine Ashton ka filluar takimin e përbashkët me dy kryeministrat Thaçi dhe Dacic në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ashton takon delegacionin kosovar

Zëdhënësja e Catherine Ashton, Maja Kocijancic, ka njoftuar se Baronesha Ashton tashmë ka përfunduar takimin me palën serbe, ndërsa ka filluar takimin bilateral me delegacionin kosovar të kryesuar nga Kryeministri Hashim Thaçi.

**********************************************

Bruksel – Në Bruksel ka nisur rrethi i tetë i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Takimit të kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, nën praninë e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, i kanë paraprirë bisedimet dypalëshe të baroneshës me delegacionet e të dyja vendeve.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur edhe një herë optimizmin për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Në një prononcim në gjuhën angleze, Thaçi ka thënë se “sot është ditë historike dhe çast vendimtar për Kosovën dhe rajonin”.

“Jam udhëheqës i vendimeve dhe jam këtu për të marrë vendimin për të ardhmen e vendit tim dhe perspektivën evropiane të rajonit”, ka thënë Thaçi para takimit me baroneshën Ashton.

Një ditë më parë, kryediplomatja evropiane i është drejtuar opinionit me një deklaratë për media, ku ka shfaqur bindjen se palët janë shumë pranë marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.

Zëdhënësja e saj, Maja Kocijançiq, ka përsëritur sot qëndrimin e baroneshës.

“Ajo beson se marrëveshja është shumë pranë, edhe pse nuk do të jetë e lehtë. Po ashtu ka thënë se, kur kemi nisur, të gjithë e kemi ditur se do të jetë e vështirë dhe do të kërkojë udhëheqje të fuqishme politike. Zonja Ashton beson se delegacionet që janë sot në Bruksel, do të sillen në frymën e gjetjes së një zgjidhjeje për interesat e popullit që përfaqësojnë dhe për një të ardhme më të mirë për të”, ka cituar Kocijançiq deklaratën e zonjës Ashton.

Ndryshe nga herat e tjera, në tryezën e sotme të diskutimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është i pranishëm edhe zëvendëskryeministri serb, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq shihet si politikani më me ndikim në skenën politike të Serbisë.

“Marrëveshja duhet të arrihet. Serbia nuk ka kohë që të presë edhe një vit, apo edhe pesë vjet, në konflikt të ngrirë. Kush do të presë? Njerëzit nuk kanë durim”, ka thënë Vuçiq, para takimit të sotëm.

Rëndësinë e arritjes së marrëveshjes e kanë ritheksuar po ashtu edhe Shtetet e Bashkuara.

“Shpresoj që të përparojnë. Do të doja të arrihej marrëveshja midis Beogradit dhe Prishtinës, sepse mendoj se ajo do të ishte mirë për paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe për përparimin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian”, ka deklaruar sot ambasadori amerikan në Beograd, Michael Kirby.

Në mesin e çështjeve të hapura në bisedimet Kosovë-Serbi, aktualisht janë kompetencat që do t’i kishte asociacioni i komunave serbe në Kosovë, që në Beograd njihet me emrin “bashkësi”.

Me këtë mekanizëm është paraparë të vihet normaliteti në pjesën veriore, ku banorët lokalë serbë kundërshtojnë autoritetin e Prishtinës zyrtare, ndërsa Beogradi, që nga paslufta, financon strukturat e veta paralele.

Palët kanë mospajtime rreth përgjegjësive të këtij asociacioni, pasi Beogradi do kontrollin e gjyqësisë, policisë dhe planifikimit hapësinor, por Prishtina kundërshton çdo kompetencë ekzekutive për të.

Rezultatet nga dialogu Kosovë-Serbi shihen si esenciale për përparimin e dy vendeve në procesin e integrimit evropian.(LajmeShqip.com)