Lajme Shqip Sunday, 12 February 2012 22:38

Njëri nga njerëzit më të përfolur në rastit Medicus, Shaip Muja do të detyrohet të hënën që të jap sqarime në gjykatë lidhur me implikimin e tij të mundshëm.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës i cili në kohën e skandalit të Medicusit ishte këshilltar i kryeministrit Hashim Thaçi, është ftuar si dëshmitar nga prokurori. Ai pritet të pyetet për ndërhyrjet e tij dhe presionin mbi zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë për t’i dhënë licencë klinikës Medicus për transplantime organesh, pavarësisht se me ligjet në fuqi në atë kohë ndalohej çdolloj transplantimi në institucione shëndetësore private.

Muja është implikuar në këtë rast edhe nga ish-ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi. Gashi ka dëshmuar në Gjykatë se gjatë një dreke, Shaip Muja e kishte pyetur se pse po i vonohej licenca klinikës Medicus.

“Pronarët kanë aplikuar për licencë dhe është licencuar për kardiokirurgji. Kanë aplikuar edhe për spital special të urologjisë, por për këtë nuk janë licencuar. Aplikimi nuk ka arritur në tavolinën time sepse komisioni për vlerësim nuk e ka përcjellë aplikimin në bord. Kjo nuk ka ndodhur”, ka thënë Gashi para disa javësh në Gjykatë.

“Interesimi i Mujës ka qenë pse Medicus nuk ka ende licencë për urologji kur e ka marrë për kardiokirurgji”, tha Gashi në gjykatore. Këtë bisedë me Mujën ai tha ta ketë bërë gjatë një dreke.

Për interesimin e Mujës lidhur me klinikën Medicus, Gashi kishte thënë se ka pyetur në Ministri dhe se përgjigja ishte se “kërkesën për një spital special për një licencë të tillë nuk e kanë përcjellë fare, pasi që transplantimi i organeve në Kosovë është i ndaluar me nenin 46 të Ligjit për Shëndetësi”.

Portali LajmeShqip.com, më herët kishte publikuar dosjet komplete dhe ekskluzive të rastit “Medicus”, në të cilën Lutfi Dervishi dhe djali i tij si dhe shumë të tjerë akuzohen për krim të organizuar, trafikim ndërkombëtar të qenieve njerëzore dhe ushtrim të paligjshëm të veprimtarisë.

Për rastin Medicus akuzohen kirurgu Lutfi Dervishi, Driton Jilta, po ashtu kirurg, Ilir Rrecaj ish-sekretar i Ministrisë së Shëndetësisë, anesteziologët Sokol Hajdini, Sylejman

Dulla dhe Islam Bytyqi si dhe Arban Dervishi, drejtor i klinikës Medicus. Në lidhje me këtë rast akuzohet edhe mjeku turk Yusuf Sonmez dhe Moshe Harel, shtetas nga Izraeli. Aktakuza i ngarkon ata me veprën penale krim i organizuar, transplantim ilegal të organeve dhe shpërdorim të detyrës zyrtare.

Dy Ekskluzivet e mëhershme të publikuara nga Portali mund ti gjeni këtu: Ekskluzive, Dosja Medicus: Dr. Përbindëshat  dhe Ekskluzive (II): Medicus, dokumente të papublikuar (LajmeShqip.com)