Lajme Shqip Tuesday, 20 November 2012 15:11

(Prishtinë – (E PLOTESUAR 20 NENTOR 17:30)- Ditarët e dëshmitarit të ndjerë Agim Zogaj, i njohur si dëshmitari X në rastin Kleçka janë shpallur të pranueshëm.

Këta ditarë implikojnë Fatmir Limajn dhe disa pjesëtarë të tjerë të UÇK’së nën dyshime për krime lufte gjatë viteteve 1998-1999.

Me këtë vendim të Gjykatës Supreme të Kosovës është rikthyer në gjykim komplet rasti Kleçka, por është hedhur poshtë kërkesën e Prokurorisë për masën paraburgimit për Fatmir Limajn dhe të tjerët.(Express/LajmeShqip.com)

*************************************************

Prishtinë (PLOTESUAR 20 nëntor 17:00)- Kolegji i Gjykates Supreme të Kosovës ka marrë vendim që çështja e rastit Kleçka të kthehet në rigjykim dhe kërkesa e prokurorit për rishqyrtim të lëndës merret për bazë pjesërisht.

Gjykata ka hedhur poshtë kërkesën e prokurorisë se Fatmir Limaj dhe të tjerët duhet të paraburgosen. Gjykata Supreme i merr përbazë dëshmitë e dëshmitarit X.

Vendimi sapo është marr nga trupi gjykues, i përberë prej tre ndërkombëtarëve dhe dy vendorëve.

Fatmir Limaj dhe të tjerët në aktgjykimin e shkallës së parë ishin shpallur të pafajshëm nga Gjykata e Qarkut. Ata u përballën me ketë proces për disa muaj rresht dhe akuzohen për krime lufte.

Sot në Gjykatën Supreme,  Limaj ka thënë se ai është shembull për të tjerët dhe se nuk ka pse t’i ikë drejtësisë duke shtuar se ai shpesh është ballafaquar me drejtësinë “Dua të mbështes fuqishëm aktgjykimin nga një trup gjykues i respektueshëm. Nuk kam çka t’i shtoj atij aktgjykimi. Ka ardhur koha të na gjykoni në bazë të fakteve e jo në bazë të paragjykimeve dhe spekulimeve. Nuk jemi fajtor për të kaluarën tonë se nuk zbatuar standarde evropiane por duhet ta respektoni përpjekjen tonë të tanishme për të ndërtuar një shtet ligjor”, ka theksuar Lima.(LajmeShqip.com)

*************************************************************

Prishtinë -Deputeti Fatmir Limaj dhe tre të tjerët kanë dalë sot para trupit gjykues të Gjykatës Supreme të Kosovës, me kërkesën e prokurorit Maurizio Salustro, i cili ka kërkuar rihapjen e rastit Kleçka. Siç dihet më herët Gjykata e Qarkut i kishte nxjerrë këta katër, bashkë me gjashtë të tjerët, si të pafajshëm lidhur me dyshimet për krime lufte në fshatin Kleçkë gjatë luftës së Kosovës (1998-1999).

Merret vesh se seanca ku është paraqitur Fatmir Limaj bashkë me Naser e Nexhmi Krasniqin dhe Naser Shalën është duke vazhduar. Prokuroria ka kërkuar që të merren për bazë edhe dëshmitë e Agim Zogajt, i njohur si dëshmitari X.

Po ashtu Prokuroria ka kërkuar paraburgim për Fatmir Limajn dhe tre të tjerët, për shkak se, sipas prokurorisë, të njëjtit mund të arratisen. Por pala mbrojtëse e ka kundërshtuar fuqishëm kërkesën e prokurorisë.(LajmeShqip.com)