Lajme Shqip Lajme Shqip Wednesday, 28 September 2011 13:45

Prishtinë ( PLOTËSUAR 17:32) – EULEX-i ka konfirmuar se dëshmitari kyç në rastin Kleçka është gjetur i vdekur në një park të Gjermanisë. Zyrtarë për informim të misionit evropian nuk kanë dhënë detaje tjera, por vetëm kanë thënë se hetimet janë duke u bërë nga policia gjermane.


Në foto, që publikohet ekskluzivisht dhe për herë të parë nga Portali LajmeShqip.com, është i shumëpërfoluri Dëshmitari X, alias Agim Zogaj, i njohur si protagonist kyç në Rastin Kleçka. Fotografia është bërë nga xhirimi i videos, gjatë dhënies së dëshmisë për Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës, në cilësinë e dëshmitarit të mbrojtur në Rastin Kleçka.  Në video është regjistruar data 19 Janar 2004.

Portali LajmeShqip.com do ta publikojë videoinçizimin e plotë të dëshmisë së tij gjatë ditëve në vijim.

Dëshmitari kryesor në procesin ndaj Fatmir Limajt dhe 9 ish-luftëtarëve tjerë të UÇK-së në rastin e njohur si “Kleçka” është gjetur i vdekur në një park të Gjermanisë. Lajmin e konfirmoi edhe zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudeleviq.

“EULEX-i konfirmon se dëshmitari X (Agim Zogaj), është gjetur i vdekur në një park të Gjermanisë dhe autoritetet gjermane po hetojnë rastin”, tha Gudeleviq.

EULEX-i nuk jep detaje për rrethanat e vdekjes së dëshmitarit X, mirëpo disa media kanë raportuar se bëhet fjalë për vetëvrasje. Ngjarja ndodh disa javë para se të fillojë procesi gjyqësor për rastin “Kleçka”. Gjykimi kundër Fatmir Limajt dhe të tjerëve ishte paralajmëruar të fillojë nga fund i muajit tetor.

Ata akuzohen për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës në fillim të vitit 1999 e deri në fund të luftës së Kosovës.

****************************

Prishtinë (PLOTËSUAR 15:26) – Burime të portalit LajmeShqip.com bëjnë të ditur se trupi i pajetë i Agim Zogajt, Dëshmitarit X, faktor kyç në procesin gjyqësor në Rastin Kleçka, është gjetur në parkun e një qyteti në Gjermani.

Autoritetet gjermane të rendit dhe të drejtësisë po punojnë në drejtim të zbardhjes së rrethanave të vdekjes së tij,  e cila deri më tani konsiderohet si vetëvrasje. (LajmeShqip.com)

****************************

Prishtinë – E përditshmja kosovare, Koha Ditore, duke iu referuar burimeve të saj në EULEX, ka bërë të ditur se  Dëshmitari X në rastin Fatmir Limaj, i dyshuar për krime lufte në Kleçkë, mbrëmë ka bërë vetëvrasje.

Kah fundi i mujti tetor të këtij viti është paralajmëruar gjykimi kundër Fatmir Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij në Rastin Kleçka.

Përveç Fatmir Limajt, në këtë rast, për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës në fillim të vitit 1999 e deri në fund të luftës së Kosovës, akuzohen edhe Nexhmi Krasniqi, Naser Shala, Behlul Limaj, Besim Shurdha e Refki Mazreku.

Dëshmitari X ka qenë pikënisja dhe nyja qendrore e këtij procesi.