Lajme Shqip Wednesday, 24 April 2013 16:30

Prishtinë – Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, ka shqyrtuar sot raportit vjetor të EULEX për vitin 2012 që ka të bëjë me personat e zhdukur. Sipas anëtarëve të këtij Komisioni, raporti në fjalë ka shumë paqartësi dhe mangësi, gjë e cila ka bërë këtë komision që ta ftojë për dëgjim përfaqësuesin e EULEX-it dhe Drejtorin e Departamentit për Mjekësi Ligjore, Arsim Gërxhaliun.

Kryetarja e komisionit, Suzan Novobërdali, ka folur për punën e EULEX-it në gjetjen e të zhdukurve në veri të Mitrovicës, duke thënë se familjarët janë ankuar se ky mision ndërkombëtar nuk po bën asgjë në këtë drejtim.

Nënkryetarja e parë e Komisionit, Rita Hajzeraj – Beqaj, ka folur për kompetencat që EULEX ka thënë se do t’ia bartë Ministrisë së Drejtësisë, por pasi kjo e fundit ta dëshmojë se po e kryen punën ashtu siç duhet.

Sipas saj, në raport të EULEX-it, ky i fundit thotë se fillimisht do ta shohë MD-së se a do t’i kryej punët siç duhet, pastaj do t’ia lë kompetencat asaj.

Ajo ka propozuar që të ftohen zyrtarët e EULEX-it për ta sqaruar se çka kanë dashur të thonë me këtë gjë.

Kurse anëtarja e këtij Komisioni, Kimete Bajraktari, duke folur për raportin e EULEX-it, ka vënë në dukje mungesën e shifrave për të zhdukurit dhe punën e EULEX-it.

Duke marrë parasysh këto paqartësi, edhe ajo ka kërkuar që të ftohet përfaqësuesi i EULEX-it për të sqaruar detajet e raportit.

Ndërkaq, më kritike në këtë në punën e EULEX-it ka qenë anëtarja e komisionit, Albana Gashi, ku sipas saj, EULEX-i asgjë nuk ka bërë sa i përket gërmimeve në pjesën veriore të Mitrovicës për gjetjen e të zhdukurve.

Në këtë drejtim, Komisioni rekomandoi që në mbledhjen e ardhshme të ftohet për dëgjim përfaqësuesi i EULEX-it dhe Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu.

Për më tepër, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, ka diskutuar edhe rreth punës që është duke e bërë grupi punues lidhur me aktivitetet për monitorimin e Ligjit për Personat e Zhdukur.(K.P/LajmeShqip.com)