|
|
e Shtunë, 28 Korrik 2012 10:51
Prishtinë, 28 korrik – Gjatë punës hetimore për veprimtarinë e Shërbimit Informativ të Kosovës, hetuesit e EULEX-it kanë ardhur në përfundim se prapa vrasjeve të dhjetëra anëtarëve të LDK-së qëndron një organizatë e fuqishme. Ata kanë shprehur dyshime se këto vrasje janë kryer për të vetmin motiv – pse ishin anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kundërshtarë të Partisë Demokratike të Kosovës. Burime nga hetuesia e EULEX-it kanë bërë me dije se është duke u zhvilluar një hetim i gjerë për përfshirjen e SHIK-ut në veprimtari kriminale, nga e cila ka rezultuar një raport që të premten është pranuar nga një trup gjykues si provë materiale në procesin gjyqësor të njohur si “Bllaca 2”.
“Hetimet kanë nisur shumë vjet më parë. Nga to rezulton se shumë krime janë kryer në mënyrë të njëjtë, me mjete të njëjta dhe me motiv të njëjtë”, ka thënë një burim.
Ky raport, të cili e ka botuar “Koha Ditore” të premten, shpreh dyshime të shumta për përfshirjen e PDK-së në vrasje e sulme të tjera kundër anëtarëve të LDK-së. Ai përmend 26 raste të krimeve, pjesa më e madhe e të cilave viktima ishin anëtarët e LDK-së.
Por as Lidhja Demokratike e Kosovës, që del të jetë “viktimë”, e as Partia Demokratike ,si “agresor”, nuk kanë reaguar të premten.