Lajme Shqip Thursday, 04 April 2013 20:49

TIRANE -OSBE-ODIHR publikoi sot raportin për misionin e fundit në Shqipëri përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit. Në raport thuhet se zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen në një ambient të polizitiar kryesisht nga dy partitë politike kryesore.

Ndërsa shumica e afateve janë përmbushur sa i përket Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në raport shprehet shqetësimi sa i përket aftesisë së KQZ për të vendosur mbi dy çështje të rëndësishme, përcaktimin e numrit te zonave të administrimit zgjedhor dhe për ndarjen e mandateve.

Sipas OSBE-ODIHR, mungesa e konsensusit ka të ngjarë të çoje në politizimin e mëtejshëm të KQZ-së.

Në raport thuhet ndër të tjera se fushata zgjedhore fillon zyrtarisht 30 ditë para ditës së zgjedhjeve, ndërkohë që OSBE-ODIHR thekson si shqetësim për presion të mundshëm mbi votuesit dhe keqpërdorim të burimeve shtetërore.

Të gjithë ndërmjetësuesit e OSBE-ODIHR shprehen mbështetjen një mision sa më të gjerë vëzhgimi dhe pjesa më e madhe e tyre kërkoi që vëzhguesit të mbulojnë të gjithë etapat e procesit zgjedhor me një theks të veçantë në vëzhgimin e numërimit të votave dhe tabulimin e rezultateve.

Në raportin e publikuar prej tyre, ndërsa analizojnë situatën parazgjedhore, ekspertët e ODIHR-it shprehen se një grup prej 30 vëzhguesish duhet të jenë me një mision afatgjatë, ndërsa 400 të tjerë duhet të jenë në Shqipëri për të mbikqyrur ditën e votimit, procesin e numërimit dhe të nxjerrjes së rezultatit.

“Duke qenë se nxjerrja e rezultatit përfundimtar kërkon një kohë më të gjatë sugjerojmë që misioni afatgjatë të qëndrojë në vend disa ditë pas votimit për të ndjekur përfundimin e të gjithë procesit. Vëzhguesit duhet të përqëndrohen në kuadrin ligjor zgjedhor shqiptar, në mënyrën e administrimit të zgjedhjeve, zbatimin e teknologjive të reja, në listat e votuesve, mbulimin mediatik dhe zhvillimin e fushatës”, citon raporti.

Sipas raportit, ndërsa një numër rekomandimesh janë adresuar dhe që e forcojnë kornizën ligjore, ekziston mungesa e besimit në partitë politike për të ushtruar vullnetin e nevojshëm politik për zgjedhje demokratike.(LajmeShqip.com)