|
|
e Martë, 09 Tetor 2012 16:16 Bruksel – Komisioni Europian pritet të rekomandojë një status të kushtëzuar për Shqipërinë, siç konfirmuan dhe zyrtarë të lartë të Komisionit, një ditë para publikimit të raport-progresit, megjithëse vendimi përfundimtar i takon Kolegjit të Komisionerëve, paraditen e së mërkurës.
Për pjesën e statusit kandidat, Komisioni i referohet vetëm marrëveshjes politike të nëntorit, zgjedhjes së Presidentit, dhe masës minimale kritike të rezultateve lidhur me 12 prioriteteve kyçe. Në këto tre elementë, të paplotësuara konsiderohen: reforma e rregullores së Parlamentit dhe votimi i ligjeve për Shërbimin Civil dhe Gjykatën e Lartë.
Me ndarjen, në pranverë të këtij viti, të statusit nga negociatat për anëtarësim, Komisioni synon që fushën problematike të sundimit të ligjit dhe zgjedhjet e vitit 2013 t’i përfshijë si kushte vetëm për çeljen e negociatave, dhe jo për statusin. Sipas zyrtarëve të lartë të Komisionit, raporti për Shqipërinë pritet të jetë një raport analitik, me vlerësime mbi prioritetet që janë përmbushur plotësisht, ato që janë përmbushur në mënyrë thelbësore dhe ato që nuk janë përmbushur sa duhet.
Kushtet që do të shoqërojnë vetëm pjesën e rekomandimit për statusin duhen plotësuar para muajit dhjetor, kur vendet anëtare do të marrin në shqyrtim rekomandimin e Komisionit, për të vendosur nëse vendi e meriton apo jo statusin kandidat.
Por ndërsa për të propozuar statusin, Komisioni është fokusuar në përmbushjen e prioriteteve “të lehta”: votime ligjesh në parlament apo zgjedhja kushtetuese e Presidentit, vendet anëtare janë shumë më të ndjeshme ndaj çështjes së zgjedhjeve të vitit 2013 dhe fushës së sundimit të ligjit ku përfshihen lufta kundër korrupsionit, krimit dhe trafiqeve, e mbi të gjitha, pavarësia e gjyqësorit, institucioneve të pavarura dhe respektimi i të drejtave të njeriut.
“ANSA” konfirmon statusin e kushtëzuar
Agjensia Italiane e Lajmeve, “ANSA”, e cila informoi se: “BE është pranë pranimit të Shqipërisë si një vend kandidat, ndonëse ky status do të kushtëzohet mbi bazën e reformave politike që do të ndërmerren në vend”. Sipas “ANSA”-s, asgjë e re nuk pritet rreth Serbisë, e cila prej një viti ka statusin e vendit kandidat dhe pret të avancojë në bisedimet për integrimit. Edhe një herë më shumë, Beogradit I është bërë e qartë se procesi është i lidhur ngushtë me avancimin në bisedimet me Kosovën. (LajmeShqip.com)