|
|
e Mërkurë, 22 Gusht 2012 19:35 Prishtinë – Presidentja kosovare, Atifete Jahjaga, dhe udhëheqësi i sektorit politik, ekonomik dhe atij për integrim evropian në Zyrën e BE-së në Prishtinë, Khaldoun Sinno, shprehën sot besimin se këtë vjeshtë Kosova do të marrë lajm të mirë nga Brukseli me rastin e publikimit të Raportit të Fizibilitetit. 
Në takimin e lamtumirës, presidentja Jahjaga falënderoi z.Sinno për angazhimin e tij gjatë misionit dhe shprehu mirënjohje për punën dhe kontributin e institucioneve të BE-së në Kosovë.
Ajo theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme nga institucionet e Bashkimit Evropian për institucionet e Republikës së Kosovës në rrugën e integrimeve evropiane.
Ndërsa Khaldoun Sinno përgëzoi presidenten Jahjaga për angazhimin e saj të palodhshëm dhe vlerësoi se ajo me punën e saj ka dëshmuar se është presidente e të gjithë qytetarëve të Kosovës. (LajmeShqip.com)