Lajme Shqip Saturday, 03 May 2014 12:40

Kreu i qeverisë Edi Rama po zhvillon një takim në Kryeministri të organizuar me talentet e sportit.

Gjatë fjalës së tij Rama shprehu kënaqësi që dyert e godinës u hapën për të pritur talentet sportive, që do të jenë kampionët e së ardhmes.

“Krenari dhe kënaqësi që dyert e kësaj godine u hapën sot për kampionë të mëdhenj, talente që do jenë kampionë në të ardhmen dhe për gjithë ata që janë në rolin e drejtuesve të federatave, trajnerëve dhe prindërve. Kemi vendosur ta bëjmë sportin një nga instrumentet e rilindjes dhe ripërtëritjes së vendit”, – tha ai. 

Kryeministri u premtoi sportistëve se do marrin gjithçka meritojnë, pa iu dashur më të protestojnë para Kryeministrisë. 

“E kemi ndjerë largimin e talenteve. Talentet shkojnë larg, marrin pasaporta të tjera, veshin uniforma të tjera, ngrenë të tjerë flamur për të provuar sa vlejnë. Unë sot jam krenar që kampionët tanë, sot nuk iu është dashur të rreshtohen para kryeministrisë dhe të varin medaljet, si një pankartë për të thënë jemi edhe në gjallë dhe mos na lini të vdesim bashkë me ëndrrat tona. Janë këtu zot të kësaj godine, ku zyrat janë tonat por pushteti në sport është i tyre, i të gjithë atyre që nëpërmjet sportit i japin kësaj shoqërie mesazhin se madhësia e suksesit tënd varet nga madhësia e ëndrrës që ti ushqen”, –  tha Rama. 

Ndërsa ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla, u shpreh se skema e re e financimit rrit mbështetjen për talentet në sport dhe për sportistët elitarë. 

“Jam e lumtur që jemi të gjithë bashkë, të diskutojmë për më shumë sport, talent,për më shumë mbështetje ndaj sportistëve. Skema e re e financimit adreson një mbështetje të re për talentet dhe sportin elitar. Do japim shpërblimet e prapambetura peshëngritësve”, – tha Nikolla. 

Një pikë tjetër ku e ndali vëmendjen ministrja, ishte ndarja e sportit nga politika. Më tej ministrja theksoi se, hap i rëndësishëm është edhe largimi i sportit nga politika.

“Do largojmë politikën nga sporti. Do ketë komisione sporti dhe komision antidopingu në të cilat s’do ketë më politikanë që i drejtojnë. Ligji që siguron statusin e sportistit do jetë së shpejti në parlament”.