Lajme Shqip Thursday, 27 June 2013 09:43

Tiranë – Lajmi i dorëheqjes së kryeministrit Sali Berisha nga të gjitha funksionet në Partinë Demokratike, është pritur me reagime të ndryshme në radhët e socialistëve. Në selinë e PS-së ka pasur festime, ndërsa në krahun e kundërshtarit ka pasur lot për largimin e Berishës. Kryetari i PS-së, Edi Rama nuk pati dje, një status në “Tëitter” apo një deklaratë për tërheqjen e kundërshtarit politik, ndërsa në pak statuse në “Facebook”, kjo është komentuar në mënyra të ndryshme. 

Burimet bënë të ditur se Rama i ka porositur deputetët që të mos bëjnë deklarata euforike, por me qetësi të vijojnë punët, për të mos shkaktuar edhe provokim nga ana e elektoratit të djathtë. Deputeti Ilir Beqaj shkroi dje në “Facebook”, pas dorëheqjes së kryeministrit Berisha: “Fjalimi i Berishës në ikje: Fund e krye fjala e një ishkomunisti të çmendur”, shkruan Gazeta Shqiptare. 

Ndërsa jooptimist për këtë qëndrim të z.Berisha është shfaqur Erjon Braçe. “Nuk iku! Tha: Do rri në qeveri deri në shtator; do rri në parti derisa të zgjedh pasardhësin! Por mbi të gjitha tha: Populli e kishte gabim! Ky nuk është dinjitet!”, – shkroi dje, Braçe, në “Facebook”.

Ndërkohë që, gjatë emisionit “360 Gradë” të gazetarit Artur Zheji, kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo e vlerësoi si “akt civil e kalorësiak”, dorëheqjen e Berishës.