|
|
e Enjëte, 29 Dhjetor 2011 17:42 Ndryshe nga mazhoranca që e zgjodhi vetë Bamir Topin dhe sot e konsideron një partiçkë në krye të presidencës , kreu i opozitës Edi Rama në një intervistë ka shprehur respekt ndaj Kreut të Shtetit, që sipas tij ka arritur të qëndrojë mbi palët, si garant për Kushtetutën. Duke e vlerësuar si fisnikëri deklaratën e Presidentit se nuk do të rikandidojë për të njëjtin post vitin e ardhshëm, Rama nuk komenton drejtpërdrejtë opsionin e një partie të re nga Bamir Topi.
“Në mënyrë fisnike u deklarua i palidhur me asnjë interes për kandidimin e tij si president. Kjo mënyrë është shumë e respektueshme, që palët të zgjedhin kandidaturën pa pengesën e tij. I shpreh respekt Topit. Askush nuk e mohon dot se ai ishte mbi palët. Funksioni i tij është real, pavarësisht se u votua nga PD ai funksionoi si garant i Kushtetutës”, theksoi ai.
Duke i konsideruar zgjedhjet e 8 majit si proces i cili i vuri vulën refuzimit të kandidatit të PD, Rama tha se për Tiranën Komisioni i Venecias i dha të drejtë socialistëve për numërimin e votave të hedhura në kutinë e gabuar, duke u shprehur se vlerësimi i tyre duhet të sanksionohet me ligj.
“Problemet e zgjedhjeve nisin nga lista e zgjedhësve tek deformimi i vullnetit të tyre deri tek numërimi. Në Tiranë u ligjërua shkelja e ligjit nga një Gjykatë e nënshtruar. Derisa Komisioni i Venecias thotë sanksiononi ligjin, do të thotë se nuk ka qenë i sanksionuar. Parimi i numërimit të çdo vote nuk është i gabuar, por ndryshimi i rregullit të lojës pas mbarimit të saj është shkelje Kushtetute dhe ligjore. Mënyra se si i jemi qasur këtij parimi nuk ka qenë korrekte”, tha Rama.
Në një analizë të vitit politik që lamë pas, Rama tha se faji për hapat e ngadaltë të Shqipërisë drejt integrimit bie vetëm mbi qeverinë. Ai iu rikthye dhe njëherë ngjarjes së 21 janarit, duke deklaruar se prokuroria po pengohet të zbulojë krimin e shtetit.
“Për 21 janarin jemi larg drejtësisë, është rikonfirmuar mungesa e saj. Prokuroria është penguar nga dita e parë pasi nuk u dorëzua komanda. Prokuroria është lejuar vetëm të ndëshkojë qytetarët që qëlluan me gurë, ata që janë përgjegjës drejtpërdrejt për krimin enden të lirë”, shtoi lidershipi i PS-së.
Kreu i opozitës foli dhe për reformën zgjedhore, duke deklaruar se PS nuk mund të bëjë asgjë nëse PD vendos veton për të mos ndryshuar sistemin zgjedhor, ndërsa u ndal dhe tek program i ri politik i PS-së, që sipas tij i flet Shqipërisë reale.
“Ne jemi të gatshëm të gjejmë dakortësi me partitë e vogla për përfaqësim të drejtë. Dy partitë e mëdha kanë të drejtën e vetos, nëse PD e vendos veton nuk ndryshon sistemi, por ne do hapim kanalet e komunikimit me partitë e vogla sepse ne jemi gati të rishikojmë sistemin në funksionin e rritjes së proporcionalitetit”, ka deklaruar Rama.
Kryetari i PS-së përjashtoi çdo mundësi për rikthimin në grupin parlamentar të deputetit Kastriot Islami pasi sipas tij ai sfidoi PS-në.
“Partia Socialiste nuk mund të sfidohet nga askush. S`ka kthim pas. Përjashtimi i tij është çështje e mbyllur, çështje e vjetër”.
Rama tha se ishte Kastrioti që shkoi tek ky vendim dhe jo vendimi tek Kastrioti. “Nuk ishte vendimi që vajti tek Kastrioti, ishte Kastrioti që u përplas tek vendimi. Statuti është i qartë dhe grupi vendosi të zbatohet rigorozisht,” tha Rama.
Kreu i PS komentoi edhe qëndrimet e ish- presidentit Rexhep Meidani.
“Nga ana e Mejdanit janë dhënë mendime konstante të ndryshme dhe janë respektuar maksimalisht gjatë gjithë kohës. Ata skandalizohen nga një opinion i ndryshëm prej opinioneve të tyre. Kjo duhet kapërcyer si mendësi. Diktatura e shumicës vërtet është një risk që është mirë të shmanget për një forcë të shëndetshme politike, por nuk do ketë assesi një diktaturë të pakicës. Kemi nevojë të harmonizojmë mendimet dhe ky diversitet mund të jetë forcë dhe jo dobësi,” tha Rama.
Ai e ka mbyllur intervistën duke folur për nevojën e një presidenti konsensual. “Ky është një proces në funksion të interesit kombëtar, që është njësuar me procesin e integrimit në Europë. Ne dëshirojmë të ndërtojmë profilin e presidentit që i duhet vendit, pa paragjykuar asnjë emër. Presidenti të mos jetë shprehje e arrogancës së një shumice shumë të kufizuar emrash, edhe pse Kushtetuta e parasheh diçka të tillë. Kjo nuk do të thotë që ne të harrojmë se fryma e Kushtetutës kërkon një president të shkëputur nga interesat e palëve dhe mishërim të pavarësisë. Po të shohim edhe eksperiencat e vendeve të tjera, pavarësisht se shkojnë drejt 50 përqindëshit, përsëri në frymë partitë dakordësohen për një figurë që si rregull është mbi palët dhe është jashtë palëve. Ajo çka në intereson në këtë rast është interesi kombëtar, është interesi i Shqipërisë,” tha Rama.
