Lajme Shqip Sunday, 30 June 2013 11:36

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një intervistë të dhënë në 23 qershor për prestigjozen franceze “Le Courrier des Balkans” shprehet se kërkon të lerë një emër në histori. “Gazeta Shqiptare” boton sot të plotë këtë intervistë.

 

Pas 8 vjetësh përballjeje të acaruar, një ndjenjë revanshi? 

Më e vështira është të humbësh kur kundërshtari ka manipuluar votën. Në 2009, komuniteti ndërkombëtar na tradhtoi duke pranuar rezultate të falsifikuara. Gjatë zgjedhjeve lokale në Tiranë në vitin 2011, ishte akoma më keq. Një situatë plotësisht kafkjane! OSBE-ja botoi një raport, në të cilin thuhej, nga njëra anë që një e treta e votave ishte falsifikuar, dhe nga ana tjetër që nuk kishte pasur manipulime. M’u desh të pranoja humbjen për 10 vota… 

Dhe aleati i juaj i ri, Ilir Meta, që u bashkua me Berishën, a besoni ju tek besnikëria e tij? 


Politika është harmonia e interesave. Jo, e idealeve. Shikoni Sarkozinë. Flirtoi me Frontin Kombëtar. Por atij nuk i eci. 
A dëshironi ju akoma të bëheni kryeministër? 

Po, pa asnjë dyshim. 

Polarizimi shumë i fortë që ekziston në Shqipëri midis Partisë Socialistë dhe Partisë Demokrate, a është një lloj strategjie? 


Nga ana e Berishës…Për një kohë të gjatë unë refuzova përballjen me të. Thonin që isha shumë skandinav për Shqipërinë. Por në 2009, pas falsifikimit të zgjedhjeve, u futëm në një përplasje monumentale, një polarizim i një dhune ekstreme…Për rreth dy vjet ishte e tmerrshme. Në janar 2011 disa manifestues u vranë në rrugë. Ishte aty që komuniteti ndërkombëtar filloi të kuptonte që kishte një problem me Berishën. Por disa muaj më vonë, OSBE-ja dha prapë një raport të pabesueshëm mbi zgjedhjet lokale. 

Kjo fitore, a është një mënyrë për të shpëtuar lëkurën tuaj në politikë? 


Por unë nuk bëj politikë për të shpëtuar lëkurën. Sigurisht, ka gjithmonë një aspekt personal. Politika është edhe një mënyrë për t’u afirmuar, apo jo? 

Ka 15 vite që ju jeni në politikë… 


Po, po, por unë nuk u bëra Edi Rama nëpërmjet politikës. Unë isha Edi Rama përpara. Në qoftë se qëndroj, është për të bërë diçka. Kam një problem me vdekjen. Vjen nga fakti që jam një artist. Kam një problem me vdekjen dhe me historinë. Dua të lë një emër. Nuk më intereson për të tjerat. Bëj politikë për të luftuar idenë e vdekjes. 
Le Courrier des Balkans/ BW/ LSH/