Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 07:13

Rama, letër publikut: Gjykatësit e Kolegjit, të pavetëdijshëm

Kreu i PS-së i ka drejtuar një letër të hapur publikut për vendimin e Kolegjit Zgjedhor

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, njëkohësisht kandidat i kësaj partie për kryetar të Bashkisë së Tiranës, në një letër drejtuar publikut për vendimin e Kolegjit Zgjedhor për rrëzimin e ankimimit të PS-së për rezultatin e zgjedhjeve në bashkinë e Tiranës, shtron pyetjen nëse janë këta gjykatës të vetëdijshëm për pasojat që padrejtësia në dhënien e vendimeve të atij kolegji ka mbi vendin e mbi njerëzit e këtij vendi.
“Në vitin 2009 Kolegji Zgjedhor bëri një padrejtësi të hapur, flagrante, në gjykimin e ankesës së opozitës mbi refuzimin nga ana e të njëjtës KQZ për hapjen e kutive të votimit me kërkesën e dy anëtarëve. Këtë të drejtë, të sanksionuar në Kodin Zgjedhor, shkruar e miratuar me konsensus në Kuvendin e Shqipërisë si një çelës në duart e çdo pakice për të garantuar transparencën e plotë të procesit zgjedhor, gjykatësit e Kolegjit e shkelën hapur dhe i hapën rrugën një krize dyvjeçare politike e institucionale”, shkruan Rama në këtë letër.
Sot jemi dy vjet më pas, shkruan Rama, duke theksuar se “vjedhja e votës është bërë këtë herë hapur, në televizor. Shkelja e ligjit prej KQZ-së për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve në kryeqytetin e Shqipërisë, është parë nga miliona sy. Është denoncuar jo më vetëm nga opozita e vjedhur këtë herë ditën për diell, por edhe nga të gjithë miqtë e partnerët ndërkombëtarë të shqiptarëve”.
Po a i dinë gjykatësit në fjalë këto të vërteta kaq të thjeshta për profesionin e tyre dhe për çështjen që kanë detyrimin kushtetues, ligjor e moral të gjykojnë me drejtësi, pyet Rama.
“Unë nuk e di me siguri përgjigjen e kësaj pyetjeje, sepse kjo është një pyetje për ta. Por në kushtet e krijuara prej tyre kam detyrimin të them publikisht se frika, jo injoranca, mungesa e kurajos intelektuale, jo padituria profesionale, pajtimi me padrejtësinë si një e keqe e pushtetshme, jo mospajtimi me argumentat ligjorë të palës së dëmtuar, kanë diktuar deri këtu shpirtin e mendjen e tyre në gjykimin së prapthi të kësaj çështjeje kaq të qartë”, shprehet kreu i PS, Edi Rama.
Po, ndërkohë, shkruan Rama “nga dhënia ose jo e drejtësisë për këtë çështje varet fati i punëve të Shqipërisë e të shqiptarëve për kohë të tëra në vijim. Nga frika ose kurajoja e gjykatësve, nga pajtimi me të keqen a zgjedhja e duhur profesionale, nga një vendim i padrejtë apo nga një vendimmarrje e drejtë për këtë çështje, do të përcaktohet se si do të ndjehet e do jetojë çdo shqiptar paskëtaj, se si do të jetë qeverisja dhe opozita e vendit, se si do të funksionojë parlamenti e drejtësia në këtë vend, se si do të sillet ky shtet me qytetarët dhe se si komuniteti ndërkombëtar do ta shohë e trajtojë shtetin shqiptar”.