Lajme Shqip Friday, 28 June 2013 15:00

Tiranë – Edi Rama do të jetë kryeministri i ri i vendit, ndërsa aleati i tij kryesor, Ilir Meta, do të jetë kryetar i Kuvendit.

Kjo gjë është zyrtarizuar pas një takimi që Rama ka mbajtur gjatë ditës së sotme me kreun e LSI-së, Ilir Meta, transmeton Gazeta Tema.

“U ra dakord që në funksion të një ndarjeje të përgjegjësive për të përmbushur me sukses detyrimet që burojnë prej votës plebishitare të 23 qershorit për Aleancën për Shqipërinë Europiane, kryetari i PS Edi Rama do të drejtojë qeverinë e re, ndërsa kryetari i LSI Ilir Meta do të drejtojë Kuvendin e ri”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të PS.

Ndër të tjera bëhet me dije se është konfirmuar angazhimi publik i PS-LSI për të ndarë mandatin e deputetit nga detyra ekzekutive e ministrit, ndërsa është rënë dakord edhe për ngritjen e një grupi të përbashkët pune, për planin e detajuar të punës së 300 ditëve të para.

“U vlerësua se pikësëpari një grup i përbashkët pune nën drejtimin e Sekretarit të Programit të PS, Ilir Beqja, dhe anëtarin e kryesisë së LSI Edmond Haxhinasto, duhet të nisë menjëherë nga puna për planin e detajuar të punës së 300 ditëve të para që do t’i paraqitet publikut në muajin shtator. Ky grup pune do të vendosë kontakte me grupet e interesit si edhe me ekspertë vendas e të huaj të nivelit më të lartë”, thekson zyra e shtypit të PS.

Gjithashtu pritet të krijohet një Task Force në mbështetje të plotë të projektit të TAP, ndërsa u shpreh shqetësimi për faktin se qeveria nq pushtet ka braktisur detyrën.

“Kjo Task Force duhet të bëhet operative për të ndjekur fazën përgatitore të projektit si edhe për të organizuar në bashkëpunim me partnerët në këtë projekt, procesin e kualifikimit të burimeve njerëzore vendase që do të përfshihen në fazën e realizimit të projektit”, theksohet në deklaratë.

U shpreh shqetësimi për të dhënat më të fundit që tregojnë se qeveria në detyrë nuk po bën thjesht kujdestarinë dymujore që imponon verdikti plebishitar i 23 qershorit, por po vazhdon në një inerci që nuk është në dobi të vendit e të qytetarëve. Prandaj dy liderët e koalicionit fitues vendosën të bëjnë apel për urtësi e përgjegjshmëri nga ana e kryeministrit në detyrë dhe e qeverisë së tij, në mënyrë që të mos ndërmerren hapa që bien ndesh me etikën e një qeverie kujdestarie.

Të ndalen prokurorimet e reja, të mos merren vendime për koncesione të reja të pasurisë publike, të garantohet që administrata të mos përfshihet në veprime antiligjore apo joetike të orës së fundit me arkën e shtetit”, vijon njoftimi i PS-së.