Lajme Shqip Tuesday, 24 June 2014 12:20

Kryeministri Edi Rama u shpreh mjaft krenar për marrjen e statusit kandidat për Shqipërinë. Ai e cilësoi  këtë hap, si një meritë e koalicionit PS-LSI dhe gjithë shqiptarëve.

“Sapo fola me Stefan Fylen e jam krenar që ia dolëm të gjithë bashkë e sigurisht PS-LSI. Falenderime dhe mirënjohje për të gjithë ju, -shkruan Rama.

Evropa vendosi të hapë dritën jeshile për të lejuar Shqipërinë të bëhet pjesë e familjes së madhe Europiane. 28 ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së vendosën me votë unanime për marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, duke përshpejtuar në këtë mënyrë procesin e saj të anëtarësimit.

Ky është një hap mjaft i rëndësishëm që i jep shtysë gjithë Ballkanit Perëndimor, për të punuar fort, duke filluar nga Shqipëria. 

Ndërkohë ministri Tahiri, uroi në rrjetin e tij social facebook, për statusin duke e cilësuar atë si  një meritë për arritjet e qeverisë në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Urime Statusi! Europa njohr vullnetin tonë shtetformues, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Faleminderit të gjithëve”, tha Tahiri.

Ministrja e Mbrojtjes Kodheli, vlerësoi gjithashtu këtë vendim, dhe falenderoi të gjithë ata që kontribuan për këtë ditë:

“Ta gëzojmë statusin e vendit kandidat! Urime Shqipërisë dhe shqiptarëve. Faleminderit të gjithë atyre që kontribuan për këtë ditë. Faleminderit të gjithë miqve tanë, që besuan te Shqipëria. Faleminderit të gjithë kolegëve të mi që punuan pa lodhje duke dhënë kontributin e tyre të çmuar. Sot të gëzojmë. Nesër fillon puna. Sfida është e madhe”.