Lajme Shqip Tuesday, 14 June 2011 17:30

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama reagoi të martën, ndaj vendimit të djeshëm të Kolegjit Zgjedhor, duke theksuar se “ai nuk dha drejtësinë e kërkuar”, ndërsa përsëriti se PS do të vijojë betejën ligjore.

“Kolegji nuk pati kurajon të shohë në sy të gjithë të vërtetën, por njëkohësisht nuk mbylli plotësisht sytë përpara rezultatit të manipuluar të KQZ-së, që nxori humbësin fitues dhe nuk pranoi ta vulosë atë”, tha Rama.

Sipas tij, me vendimin e Kolegjit “procesi është rikthyer në tavolinën e kanibalizmit elektoral, aty ku u grabit fitorja jonë në sy të të gjithëve, ku u prodhua tabela e turpshme e një rezultati jo vetëm me më shumë vota se sa zgjedhës, por dhe me më shumë vota se sa tërësia e fletëve të votimit të gjetura në kuti’.

“Ne i qëndrojmë asaj që kemi thënë që në fillim se do i shkojmë deri në fund rrugës së betejës ligjore, pavarësisht se në KQZ nuk presim asgjë tjetër, përveç vazhdimit të kanibalizmit me votat e qytetarëve dhe me kutitë, ku ata kanë votuar”, u shpreh kryetari socialist.

Rama theksoi se “grabitësit e këtyre zgjedhjeve, mund t’i shpëtojnë shumë gjërave dhe të dhunojnë hapur edhe vetë aritmetikën për të vulosur si fitore një humbje, por asnjëherë ky popull nuk do i shohë ata si fitues në garën e 8 majit”.

“Ne kemi përgjegjësinë për të ndërtuar aksionin e mëtejshëm opozitar në funksion të shpëtimit të demokracisë, të çlirimit të drejtësisë dhe të rimëkëmbjes së ekonomisë. Ky proçes ka humbur çdo integritet e besueshmëri dhe është një shembull kuptimplotë për domosdoshmërinë e largimit të këtij pushteti dhe një arsye më shumë për ta vijuar betejën opozitare në çdo front”, u shpreh kryetari i PS-së.