Lajme Shqip Monday, 28 October 2013 15:15

Tiranë–Kryeministri Edi Rama reagoi sot për herë të parë ndaj akuzave të prokurorisë për kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika. 

Duke i cilësuar si tepër të rënda, kreu i qeverisë theksoi se shpreson që këto akuza të mos qëndrojnë. 
“Akuza e prokurorisë është shumë e rëndë dhe artikulimet e ketyre akuzave janë tepër të rënda. Duam të shpresojmë se një abuzim kaq skandaloz me detyrën nuk qëndron”. 

“Ne kërkojmë nga drejtësia të bëjë punën e saj pa asnjë pengesë politike. Dëshira jonë është ta shohim Gjiken të çliruar nga akuza dhe duam të provojë pafajësinë me argumente dhe fakte të besueshme, por duhet të jetë e qartë për të gjithë dhe ne nuk bëhemi mburojë politikë e asnjë të akuzuari për korrupsion e abuzime shtetërore. Duam Shqipëri të drejtë e të barabartë me këdo e për këdo, e kjo vlen në radhë të parë kur akuza drejtohet nga ne drejt njërit prej nesh”,- theksoi më tej Rama. 

Rama theksoi se, si mik dhe si socialist do i qëndrojë Shpëtim Gjikës pranë në këtë moment, por si kryeministër do të inkurajojë prokurorinë të kryejë detyrën e nisur.

“Prandaj si socialist dhe mik i Shpëtim Gjikës, unë ndihem keq për të dhe në çfarëdo situatë do jem njerëzisht pranë tij dhe familjes së tij dhe sikur ai të ketë gabuar aq rëndë. Por, si kryeministër unë inkurajoj prokurorinë të bëjë detyrën deri në fund dhe duam që drejtësia dhe jo politika të thotë fjalën e fundit lidhur me të”. /bw/