|
|
e Martë, 12 Qershor 2012 16:57 Tiranë – “Sot Shqipëria u gdhi me një noter partiak në rolin e presidentit, duke i dhënë familjes europiane mesazhin më të gabuar para provimit të tretë të vjeshtës në Bruksel”, komentoi zgjedhjen dje të presidentit të ri të Republikës, kryetari i PS-së, Edi Rama, në fjalën e mbajtur në punimet e Konventës Zgjedhore të FRESSH-t. 
“Ne bëmë gjithçka mundëm që t’i jepnim vendit një shtytje të fortë në rrugën ende të përpjetë të bashkimit me Evropën, u investuam deri në fund për një konsensus politik që do t’i jepte vendit, jo thjesht një president të palëve, por shans real për statusin e BE-së në vigjiljen e 100 vjetorit të pavarësisë”, theksoi Rama, duke shtuar se “politika e verbër e dasisë dhe kacafytjeve u imponua mbi politikën e dialogut dhe të mirëkuptimit për çështjet e mëdha të Shqipërisë”.
Sipas tij, çështja e madhe e Shqipërisë ajo e bashkimit me Europën, mori dje një goditje të rëndë. “Europa sot është më larg se dje, Shqipëria sot është më larg se dje nga familja europiane, ndërsa ne vetë socialistët jemi ende më të vetëdijshëm sot, për domosdoshmërinë e ndryshimit që duhet të sjellim medoemos në politikën shqiptare dhe qeverisjen e vendit, për ta rilindur Shqipërinë”, tha Rama.
“Detyra jonë sot është t’u tregojmë njerëzve rrugën e re të ndryshimit të gjërave që shkojnë keq, t’u flasim se si do ta rilindim ekonominë dhe si do ta bashkojmë Shqipërinë me gjithë Europën, t’u ofrojmë njerëzve një alternativë të qartë për problemet që mundojnë sot vendin”, theksoi kryetari i PS-së. (Lajmeshqip.com)