Lajme Shqip Friday, 10 June 2011 19:21

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha se vendimi i ardhshëm i Kolegjit Zgjedhor mbartë në vetvete pyetjen se në ç’rrugë do të shkojë vendi.

Kreu i PS-së, gjatë një komunikimi me gazetarët, iu referua vendimeve të mëparshme të Kolegjit, duke theksuar se ato kanë thelluar hendekun mes së vërtetës e së drejtës dhe nga ana tjetër një padrejtësie dhe shpërdorimi të detyrës të legalizuar në vendime gjykate.

Sipas tij, vendimi i  ardhshëm ka një rëndësi themelore, sepse ka të bëjë me gjykimin në themel të çështjes. “Kjo është një çështje që shkon shumë përtej garës në vetvete, pasi nga mënyra se si ajo do të zgjidhet varen fatet e punëve të vendit në vijim”, theksoi Rama.

Kryetari socialist nënvizoi se Brukseli po shpreh shqetësim për atë që ndodhi pas përfundimit të procesit të numërimit në Tiranë. “Brukseli e shpreh qartë shqetësimin e vet. Odiseja e zgjedhjeve në Tiranë është një problem që lidhet me të nesërmen dhe të ardhmen e vendit”, u shpreh Rama.