Lajme Shqip Thursday, 23 June 2011 19:59

Tiranë – Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, shprehu sot rëndësinë e intensifikimit të luftës kundër krimit ekonomiko- financiar dhe pastrimit të parave në Shqipëri.
E pranishme në takimin e zhvilluar sot në hotel “Rogner”, me rastin e  prezantimit të projektit të Binjakëzimit, IPA 2009 “Mbështetje për Strukturat e Luftës kundër Pastrimit të Parave dhe për Strukturat e Hetimit të Krimeve Financiare”, Kryeprokurorja Rama tha se “intensifikimi i tregtisë ndërkombëtare, lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave dhe pajisjeve, përveç zhvillimeve dhe progresit krijon hapësira dhe mundësi për aktivitete kriminale në fushën e krimit financiar, e në veçanti për pastrimin e parave të siguruara në aktivitete kriminale. 
“Situata ligjore në Shqipëri në fushën e parandalimit, hetimit dhe dënimit të krimit financiar është në nivel të kënaqshëm. Vlerësimi pozitiv i situatës ligjore konstatohet nga organet e zbatimit të ligjit, por edhe raportet nderkombetare te Këshillit të Evropës. Megjithatë, konstatohet se në praktikë ndeshen shumë probleme në kuptimin e këtyre veprave penale, në metodat e hetimit që duhen ndjekur për të mbledhur provat e nevojshme, në koordinimin e punës apo rastet e paraqitura në Gjykatë”, tha Kryeprokurorja Rama. 
Ajo bëri të ditur se të dhënat statistikore flasin për një numër të paktë të rasteve të dënimit penal të personave të përfshirë në aktivitetin kriminal të pastrimit te produkteve te vepres penale. “Në këto kushte bëhet gjithnjë e më shumë e domosdoshme qe organet e zbatimit te ligjit të intensifikojnë luftën kundër këtyre fenomeneve negative,  duke njohur me mirë sesi ato funksionojnë,  duke trajnuar personelin e tyre, duke përsosur strukturat qe merren me parandalimin dhe luften ndaj këtij lloj kriminaliteti si dhe duke intensifikuar bashkëpunimin”, shtoi me tej Kryeprokurorja Rama.