Lajme Shqip Tuesday, 07 June 2011 18:46

Prishtinë, 7 qershor – Në seancën e së martës, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ka përfunduar marrja në pyetje e Nazim Bllacës nga të akuzuarit, në një porces gjyqësor i cili ndodhi pas akuzave publike të këtij fundit për, siç është shprehur ai, krimet e pasluftës në Kosovë, të kryera nga SHIK-u, në të cilat Bllaca e kishte përfshirë edhe veten si agjent e këtij mekanizmi mjaft të përfolur në Kosovë.

Nazim Bllaca në këtë proces është me statusin e dëshmitarit dhe të të akuzuarit, por në fazën e deritashme është cilësuar “dëshmitar bashkëpunues”.

“A keni biseduar ndonjëherë me Hysri Ramën dhe Shaban Sylën që t’i merrni 400 mijë euro?”, e ka pyetur Bllacën Fahredin Gashi, i akuzuari kryesor në këtë proces, të cilit Bllaca ia ka ngarkuar peshën më të madhe të krimeve.

Bllaca është përgjigjur: Me Hysri Ramën dhe Shaban Sylën gjithmonë kam biseduar për 220 mijë eurot e mia, që i kam kërkuar, e jo 400 mijë euro”.

Fahredin Gashi më pas e ka prezantuar një raport të përgjimeve telefonike, sipas të cilit Bllaca kishte bërë biseda me Hysri Ramën, Shaban Sylën edhe me disa persona të tjerë, të cilët kinse i kishin bërë presion Fahredin Gashit që t’ia merrnin 400 mijë euro.

Mirëpo, prokurori ka kundërshtuar, duke thënë se ka shumë dyshime, sepse nuk ka regjistrime, nuk ka transkript në shkresat e lëndës, ngase kanë humbur të gjitha. “E gjithë ajo që keni ju është në vija të trasha, që i ka bërë një oficer i policisë dhe nuk mund të merren si prova”, ka thënë ai.

Mbrojtja ka insistuar, sipas kërkesës së parashtruar, që të sigurohen raportet e përgjimeve telefonike, ndërkohë që prokurori ka thënë se ajo që mbrojtja e kishte në dorë (lista e sms-ve) ishte një raport i policisë, i përpiluar nga një oficer policie dhe i cili vjen në konkludim të përgjigjeve. “Është vlerësim i tij personal dhe nuk ka asgjë tjetër”, ka thënë ai.  “Në mënyrë kategorike është e papranueshme, sepse nuk ka prova. Nuk ka asnjë lloj dëshmie të tij”.

Mbrojtja ka kërkuar që gjykata t’i bëjë kërkesë policisë regjionale të Prishtinës që të sigurojë raportin e përgjimeve telefonike, dhe në të njëjtën kohë të thirren për të dëshmuar Blerim Dajaku, Nuhi Xhela dhe Nazim Sahiti.

Avokati ka deklaruar se kjo është një provë me rëndësi dhe dëshmitarët janë të rëndësishëm për të vërtetuar kredibilitetin e dëshmitarit bashkëpunues.

Pas kësaj ka ndërhyrë gjyqtari, i cili ka këkruar të dijë se cila do të ishte relevanca e kësaj. Pa vonuar ka ndërhyrë i akuzuari Fahredin Gashi, duke thënë: “Relevanca e tyre është për të vërtetuar kredibilitetin edhe besueshmërinë e dëshmitarit bashkëpunes, pasi që, sipas tij, ai gjithëherë ka qenë i shantazhuar nga Bllaca, për qëllimet e tij financiare. “E ka bërë për të më bërë shantazhe, sepse ka qenë zero prej parave dhe ka pasë borxhe tre milionë euro, si dhe ka menduar që duke më bërë shantazhe mua t’i lajë borxhet e tij. Ky është motivi që e ka krijuar edhe rastin e vrasjes dhe në këtë rast unë jam viktimë, e ky është reketashi”, ka thënë Gashi.

Në sallën plot tension është biseduar hapur midis të akuzuarve dhe dëshmitarit bashkëpunues Nazim Bllaca për afera të tjera, kërcënime e shantazhe që janë pjesë e kësaj historie dhjetëvjeçare të këtij relacioni.

Avokati e ka pyetur Bllacën edhe nëse ka biseduar me Hysri Ramën dhe Qazën për t’ia marrë Fahredin Gashit 1 milionë euro, në çfarëdo mënyre?

“Dy persona që po i përmedni dhe për herë të parë që po e përmendni këtë shumë, kjo ka ndodhur më 13 tetor 2009, kur Fahredin Gashi me shokë m’i ka ofruar 1 milon euro”, është Nazim Bllaca.

Në pjesën tjetë të bashkëbisedimit rreth qindra mijëra eurove që Bllaca përmes personave të ndryshëm i ka kërkuar nga Fahredin Gashi, janë përmendur edhe Qazim Shabani dhe Shaban Syla si ndërmjetës për të marrë para nga Gashi për Bllacin, kjo, siç është thënë, si kundërvlerë e shërbimeve të Bllacës.

Nazim Bllaca, është përgjgijur: “Në këtë kohë Shaban Syla i ka pasë punët mirë me Fahredin Gashin dhe unë i kam thënë për paret e mia që m’i ka borxh, 220 mijë eurot e mia.  Ai ka mujt me thanë shifër marramendëse, kjo nuk më ka interesuar mua”.

Por, Fahredin Gashi e ka kontestuar relacionin dhe marrëdhënien me Nazim Bllacën. “Ky (Bllaca, v.j.) më ka bërë reket se s’ka pasë as bukë me hangër. (Tash i drejtohet Bllacës): A je takuar me mua, më 26 mars 2007, në Han të Elezit, ku m’i ke kërkuar 1 milionë euro, sepse (më ke thënë, v.j.) çdo vrasje që është kryer pas luftës do ta mveshi ty, këtë ma ke thënë”, është shprehur Gashi.

I akuzuari Fahrdin Gashi e ka pyetur Bllacën nëse ia kishte dërguar disa persona në lidhje me një CD që ky i fundit (Bllaca) e kishte siguruar, për një dëshmi që Fahredin Gashi e kishte dhënë për Tribunalin  e Hagës.

“Ky (Nazim Bllaca) u takua me Reshatin, ia ka dhënë një CD të ku është biseda që unë e kam bërë për Tribunalin. Ajo ka qenë e vulosur me dyll dhe hetuesi ka thënë se e dërgon në Hagë, ka qenë shumë konfidenicale dhe as unë nuk kam mundur ta kem. Ndërsa ky e ka dërguar edhe te personat e shoqatave të dala nga lufta dhe ka thënë që unë t’ia jap 3 milion euro, për t’u asgjësuar ajo CD”, ka thënë Gashi, duke u përpjekur të dëshmojë se Bllaca vazhdimisht ka synuar ta shantazhojë atë.

Gashi e ka akuzuar Bllacën se ka deklaruar në media që në atë CD Fahredin Gashi të ketë dëshmuar edhe kundër Fatmir Limajt e Ramush Haradinajt. “CD-ja ka qenë tepër konfidenciale dhe nuk e di si ka mundur ta posedojë Nazim Bllaca”, ka thënë Fahredin Gashi.

Ndërkaq, Bllaca është përgjigjur se CD-ja ka qenë prej kohësh në duart e SHIK-ut.

Gashi ka deklaruar se Bllaca e ka kërcënuar vazhdimisht atë dhe familjen e tij, duke i kërkuar para.

Sipas Fahredin Gashit, ai dhe Bllaca kanë bërë edhe biznese të shumta bashkë.

I akuzuari Gashi ia ka drejtuar një seri pyetjesh Bllacës, nga të cilat nuk ka marrë përgjigje, ngase trupi gjykues i ka vlerësuar si të papranueshme.

Dramatike ka qenë edhe adresimi i pyetjeve që i akuzuari Hysri Rama i ka bërë Nazim Bllacës. “A keni marrë rrogë nga Serbia?”, k pyetur Rama, ndërkohë që Bllaca e ka mohuar. Por, Hysri Rama i ka kujtuar: “A të kam dërguar unë me veturë deri në kufi dhe pastaj ti ke shkuar në Serbi me taksi për t’i marrë 6 mijë euro nga disa zyrtarë të policisë së Serbisë?”.

Këtu ka reaguar prokurori, duke thënë se kjo pyetje nuk ka relevancë për rastin që po gjykohet. Mirëpo, Tahir Rrecaj, avokati i Fahredin Gashit, ka reaguar duke thënë se “ka relevancë kjo pyetje, sepse nëse Bllaca ka marrë pagë prej Serbisë dhe kryeprokurorit serb, ky është montim politik dhe ky person është i paguar nga agjencitë e huaja”.

Mirëpo, trupi gjykues ka anuluar këtë pyetje duke e cilësuar jorelevante.

“A të ka thënë vëllai yt, Ibush Bllaca, mos i përziej njerëzit se kjo është lojë e fëlliqtë?”, ka pyetur Rama. “Kurrë s’kam folë me të. Unë nga Rama e familja e tij kam kërcënime serioze. Madje, autori i kërcënimeve ka qenë Fikret Rama, djali i vëllait të Hysrisë”, është përgjigjur Bllaca.

Prokurori special i EULEX-it, Mauricio Salustra, e ka pyetur Bllacën se cili ka qenë qëllimi i tij në takimin me Shpresim Ukën dhe personat e tjerë?

“Qëllimi ishte t’i afrohem më shumë grupit tim. Në takim kam incizuar me një “Samsung K 800”, që e kam futur në qerapa. Pas 3 ditësh këtë incizim ia kam dhënë EULEX-it. Kërkesa e parave gjatë këtij takimi ka qenë pjesë e strategjisë sime. Po ashtu,  kisha qëllim t’i provokoja ata gjatë këtij takimi”, ka thënë Bllaca.