Lajme Shqip Wednesday, 28 March 2012 20:16

Tiranë-Problemet e infrastrukturës, që shpesh janë bërë burim aksidentesh dhe vizioni i Partisë Socialiste për të ndryshuar këtë situatë, u diskutuan në tryezën e opozitës për infrastrukturën dhe transportet, në kuadër të programit “Për një Rilindje Shqiptare”.

Artan Lame, kryetar i grupit të punës u shpreh se vdekjet nga aksidentet janë kthyer në lajme rutinë, por bëjnë përshtypje atëherë, kur aksidentohet ndonjë person publik. Lame krahasoi gjendjen aktuale të rrugëve, me përshkrimin e një misionari amerikan, që kishte vizituar Shqipërinë, fundshekullin e 19-të.

Kreu opozitës Edi Rama kritikoi qeverinë, kur tha se rruga Durrës-Kukës, e cila ende nuk është përfunduar dhe se janë përdorur 8 standarde të ndryshme. Rama akuzoi edhe kryeministrin Berisha se gënjen, kur thotë se janë ndërtuar 9,000 kilometra rrugë.

“Sot ne e kemi analizën e 9 mijë kilometrave të kryeministrit, që në fakt nuk janë 9 mijë, por siç u theksua nga drejtuesi grupit të punës në rastin më të mirë janë 1300 kilometra dhe në rastin më të keq janë 900 kilometra. E këto 400 kilometra diferencë midis rastit më të mirë dhe rastit më të keq, përsëri tregojnë se në çfarë shteti jetojmë, një shtet pa inventar, një shtet që nuk tregon dot një hartë masterplani të zhvillimit të infrastrukturës”, tha Rama.

Vrasësi më i madh në rrugë, tha Rama, është mungesa e shtetit. Ai ka premtuar se në qeverisjen e ardhshme socialiste, kryefjala e programit ‘Për një Rilindje Shqiptare’ do të jetë standardi në projektim dhe zbatim në ndërtimin e rrugëve i munguar, siç theksoi ai, këto 20 vjet. Gjithashtu Rama është ndalur edhe në borxhin që qeveria u ka kompanive të ndërtimit.

“Pjesë e dramës ekonomike të vendit është borxhi qeverisë ndaj firmave që kanë lidhur kontrata të punëve publike me qeverinë. Eshtë një borxh që shkon 100 miljon dollarë dhe dhjetëra milionë të tjera të padeklaruara për shkak se firmat e ndërtimit janë marrë peng. Janë kthyer në kompani skllave të pushtetit politik. Ndërkohë që në një vend normal duhet të pretendonin që dëmshpërblim për mospagimin në kohë të punës”, tha Rama. (TCH)