Lajme Shqip Tuesday, 29 October 2013 12:53

Tiranë-Asnjë militant që nuk plotëson kriteret nuk do të punësohet në sektorë si arsimi, tatime, dogana apo INSTAT. Kjo u tha gati, gati në formë urdhri për deputetët dhe ministrat bashkë nga kryeministri Edi Rama, në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar. 

Burime tepër të rezervuara bënë të ditur dje për “Gazeta Shqiptare” se në përgjigje të të gjitha ankesave të deputetëve për punësimin e militantëve dhe atyre që kontribuuan në fushatën e zgjedhjeve të 23 qershorit, Rama mësohet të ketë thënë se askush që nuk e meriton nuk do të zërë një vend pune. “Në bazë të premtimeve të fushatë ne duhet të punojmë të bëjmë shtet dhe jo të punësojmë të paaftë. Çdokush duhet vlerësuar në bazë të meritokracisë”. Sipas Ramës, janë shpallur konkurset në arsim, në tatime dhe të gjithë t’u nënshtrohen konkurseve. 

“Nuk mund të vëmë në një post, në tatime apo dogana një person dhe të lëmë arkën e shtetit bosh, për shkak të paaftësisë së individëve”, mësohet të jetë shprehur i prerë kryeministri Edi Rama. Nga ana tjetër, Rama kërkoi që mes deputetëve dhe ministrave të ketë mirëkuptim. “Zgjidhni çdo gjë me dialog. Nuk ka kuptim të mblidhen asambletë për emërime, ndërkohë që mund ta zgjidhni me konsensus mes jush”, mësohet të jetë shprehur Rama në lidhje me punësimin e posteve politike që tashmë kanë mbetur ende pa u zgjedhur në rang të pushtetit vendor. Kjo është e disata herë që Rama shprehet për të “qetësuar” jo vetëm deputetët, por edhe për të përcjellë tek militantët idenë se nuk do të ketë asnjë vend pune të pamerituar. Veçanërisht për sektorët kyçë si INSTAT, Arsim, Dogana e Tatime, Rama ka kërkuar që të ketë njerëz profesionistë dhe jo të paaftë. Edhe në mbledhjet e kaluara ai e ka përsëritur situatën kritike ku ndodhet buxheti i shtetit, ndaj ka kërkuar më shumë punë dhe njerëz të aftë që ta bëjnë këtë punë në këta sektorë. Madje, në mbledhjet e kaluara ai u ka vendosur deputetëve edhe cakun, duke u thënë se “nëse duan kushërinjtë drejtorë, atëherë të lënë mandatin e deputetit”. 

Kryeministri ka përfunduar edhe konsultimet me deputetët e të 12 qarqeve veç e veç dhe aty është folur ndërkaq edhe për ndarjen e posteve në rang rajonal. Deputetët e çdo qarku, në bashkëpunim me prefektët respektivë do të ndajnë edhe pjesët siç u takon në drejtoritë rajonale. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar nuk është folur më për çështjen e Shpëtim Gjikës. Gjithçka është mbyllur me fjalën e kryeministrit Rama, në fillim të mbledhjes me dyer të hapura. Më tej, grupi ka diskutuar edhe për axhendën e seancës parlamentare. Burimet thanë se nuk ka pasur asnjë diskutim edhe për çështjen e dorëzimit të mandateve të ministrave, çështje kjo që është lënë deri më tani pa u zgjidhur.