Lajme Shqip Sunday, 01 November 2015 09:21

Memorandumi i mirëkuptimit për definimin e kufijve në mes të dy komunave të Mitrovicës nuk ka gjasa që të nënshkruhet në një të ardhme të afërt, pasi që kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, nuk lëshon pe dhe kërkon që definimi i kufijve të bëhet sipas Statutit të Komunës Veriore.

 Në anën tjetër, kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, insiston që kufijtë administrativë në mes të dy komunave të bëhen sipas Ligjit për Kufijtë Administrativë të Komunave dhe në pajtim me Pakon e Ahtisarit.

Bahtiri edhe një herë, të shtunën, e ka porositur Rakiqin që të reflektojë në të mirë të qytetarëve të të dy pjesëve të Mitrovicës dhe ta nënshkruajë Marrëveshjen për Kufijtë.

Ai gjithashtu ia ka bërë të ditur Rakiqit se ka përfituar më shumë territor, se që në të vërtetë ka Komuna Veriore.

I pari i Mitrovicës së Jugut, gjithashtu, i ka bërë thirrje atij të Veriut që të marrë kurajë dhe përveçqë ta nënshkruajë Memorandumin për Kufijtë Administrativë në mes të dy komunave, t’i heqë edhe të gjitha barrikadat në pjesën veriore, duke përfshirë edhe atë “Parku i Paqes”./Zeri