Lajme Shqip e Premte, 06 Korrik 2012 12:32

Mitrovicë– I ashtuquajturi kryetar i komunës së Zubin Potokut, Sllavisha Ristiq ftoi sot këshilltarët dhe krerët e komunave nga veriu i Kosovës që të bëjnë gjithçka, në mënyrë që deri në shtator serbët të cilët marrin rroga apo pensione nga buxheti i Kosovës të heqin dorë nga ato të ardhura.

Në një mbledhje të përbashkët të katër strukturave ilegale komunale në veri të Kosovës, Ristiq tha se serbët duhet të heqin dorë nga letërnjoftimet kosovare, sepse kjo “paraqet tradhti të shtetit të Serbisë dhe pasardhësve”, njofton Kontakt plus radio.

Sipas tij, “të gjithë serbët të cilët janë të gatshëm që edhe më tutje të marrin para nga buxheti i kuazi-shtetit të Kosovës, duhet ta dinë se një letërnjoftim kosovar është shumë më i rrezikshëm se sa arma e zjarrit e forcës NATO”.

“Nëse nuk ndërmarrim diçka, druaj se atëherë nuk do të jemi shtetas të Republikës së Serrbisë. Deri në vjeshtë, ose do të heqim dorë nga ato kuazi-privilegje, ose nuk do të ekzistojmë”, tha ai, duke theksuar se të “ashtuquajturat letërnjoftime të shtetit të Kosovës të digjen në turrë të përbashkët të druve”.

Sipas tij, “askush nuk ka të drejtë t’iu marrë ardhmërinë fëmijëve serbë dhe t’iu bëjë të pamundur që ata të jenë serbë dhe shtetas të Serbisë”, transmeton radio KiM. (LajmeShqip.com)