Lajme Shqip Thursday, 30 June 2011 15:25

Prishtinë – Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e sotme plenare nuk e miratoi mocionin e Lëvizjes Vetëvendosje në interpelancën e ftuar nga ajo të kryeministrit Hashim Thaçi lidhur me autostradën Vërmicë-Merdar.

Nga deputetetët e pranishëm, kundër mocionit votuan 35, pro 19 e 1 abstenoi.

Kryeministri Thaçi në përfundimin e debatit, në të cilin iu përgjigj edhe kërkesave për transparencën, sqaroi se vendimi për ndërtimin e autostradës nuk është i Kuvendit, siç thuhej nga disa diskutues, por i Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ai ftoi deputetët që të vizitojnë autostradën në ndërtim Vërmicë-Merdar, në vazhdim të Rrugës së Kombit të përfunduar në Shqipëri, ndërtimi i rreth dyzetë kilometrave të parë të së cilës do të përfundojë në fund të tetorit ose në fillim të nëntorit të këtij viti.

Kryeministri Hashim Thaci tha se autostrada Morinë-Merdar do të vazhdojë pa asnjë ditë ndërprerje, pavarësisht kundërshtimeve të opozitës. Ai theksoi se ky është projekti më i madh dhe më modern për Kosovën, që do të ketë efekte të mëdha në zhvillimin e Kosovës, ndërkaq qeveria për këtë projekt sivjet ka ndarë 250 milionë euro.

Duke arsyetuar kërkesën e Lëvizjes “Vetëvendosje” për interpelancë të kryeministrit Thaçi për autostradën, Visar Ymeri kritikoi qeverinë për shtyrjen e saj deri në ditën e sotme. Ndërkaq, duke folur rreth këtij projekti, ai theksoi se qeveria ka hyrë në të pa plan dhe pa ditur koston. Por Ymeri tha se Vetëvendosja nuk është kundër kësaj rruge, por kundër keqpërdorimeve.

Me gjithë kufizimet buxhetore, qeveria nuk do të rrezikojë realizimin e projekteve kapitale dhe për autostradën sivjet ka ndarë 250 milionë euro, tha kryeministri Thaçi, duke shtuar se ky debat është kërkuar nga deputetë të caktuar për qëllime të ulëta politike.

Thaci kritikoi Vetëvendosjen edhe për publikimin e, siç tha ai, disa pjesëve të kontratës ndërmjet qeverisë dhe konsorciumit Bektel enka, duke thënë se kjo e dëmton rëndë imazhin e Kosovës para investitorëve të huaj.

Blerim Shala, deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se autostrada e Kombit po shndërrohet në një rrugë qorre politike dhe ekonomike për Kosovën. Sipas tij, çmimi i autostradës mund të gjendet në marrëveshje të FMN dhe Qeverisë së Kosovës.

Glauk Konjufca nga Vetëvendosje shfaqi dyshime se kontrata mbingarkon financiarisht në mënyrë të paarsyeshme shtetin e Kosovës. Kjo kontratë, sipas tij është e njëanshme dhe se “Bechtel-Enka” merr të gjitha përfitimet e mundshme.

Por, Thaçi tha kjo është rrugë e shpresës, optimizmit dhe zhvillimit.

Një debat me shumë replika u zhvillua ndërmjet kryetarit të grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri dhe kryeministrit Thaçi, rreth shumë cështjeve, mes tjerash edhe rreth cështjeve të kryeqytetit. Ndërkohë, projektin e autostradës e mbrojtën edhe ministri i insfrastrukturës Fehmi Mujota, por edhe ish ministri i transportit, Fatmir Limaj, deputet i PDK-së. (LajmeShqip.com)