Lajme Shqip Tuesday, 10 September 2013 17:08

Prishtinë – Ministria e Tregtisë dhe Industrisë njofton se masat e ndërmarra për bllokimin e importit të produkteve me origjinë nga Maqedonia mbesin në fuqi deri në vendimin e palës maqedonase për heqjen e të gjitha barrierave tregtare dhe të lëvizjes së lirë të njerëzve ndaj Republikës së Kosovës. ”Qeveria e Kosovës iu bën thirrje qytetarëve të Kosovës që, përveç në raste urgjente, për shkak të situatës së papërshtatshme, momentalisht t’i shmangen shkuarjes në Maqedoni.

Për shkak të bllokimit të kufirit që është bërë me automjete transportuese dhe autobusë në territorin e Maqedonisë para pikëkalimeve kufitare në Bllacë dhe Jazhincë të Maqedonisë, qytetarët e Kosovës momentalisht lejohen të kalojnë kufirin vetëm në këmbë. Aktualisht kufiri është i mbyllur për të gjitha automjetet, ndërsa kalimi i këmbësorëve bëhet pa pengesa nga të dyja anët e kufirit. Situata është e qetë dhe stabile.

Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për zgjidhjen sa më të shpejtë dhe në rrugë institucionale të problemeve tregtare dhe të lëvizjes së lirë të qytetarëve me Republikën e Maqedonisë”, thuhet në njoftim. /RTK/