|
|
e Enjëte, 15 Dhjetor 2011 12:13 Tiranë-Qeveria e Shqipërisë nuk ka informacionet e duhura dhe të plota mbi gjendjen financiare të kompanisë Albpetrol, e cila është propozuar të nxirret për privatizim 100 %, pavarësisht kundërshtimit të fortë të opozitës për mungesë transparence.
Gjatë seancës së sotme në Kuvendin e Shqipërisë, ku shqyrtohet pikërisht projektligji për formulën e privatizimit të Albpetrol, i pyetur nga deputeti Erjon Braçe për gjendjen financiare të Albpetrol, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Nasip Naço, nuk ka mundur të japë një informacion të saktë lidhur me këtë.
Ai tha se pritet ende rezultatet e auditimit të shoqërisë dhe mbase brenda dy javësh parlamenti dhe publiku mund të informohet konkretisht për gjendjen financiare të kësaj shoqërie që është një aset i ekonomisë shqiptare dhe sektori ku bën pjesë Albpetrol, pra ai i hidrokarbureve është strategjik.
Madje Naço pranoi se qeveria nuk është në gjendje të bëjë një vlerësim të gjendjes financiare të kësaj shoqërie kur tha se është marrë një firmë konsulente për këtë gjë. Ministri deklaroi nga ana tjetër se shitja 100% e Albpetrol-it do të sigurojë fonde të mjaftueshme monetare që do të përdoren për investime të nevojshme.
Në lidhje me punonjësit e Albpetrol-it, të cilët rrezikojnë të mbeten të papunë pas privatizimit, Naço theksoi se pr/ligji u siguron atyre pagën e një viti dhe vjetërsinë e punës.
“Fondet që do të përfitohen nga privatizimi do të përdoren për rrugë, investime, tunele. Nga shitja e menjëhershme nuk do përfitohen vetëm këto fonde por do vazhdohen të merren të ardhurave nga tatim-fitimet.”- theksoi ministri Naço.
Një nga akuzat kryesore të opozitës për procesin e privatizimit të Albpetrol ishte pikërisht mungesa e transparencës.
Në datë 13 dhjetor megjithë kundërshtimet e opozitës, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi vetëm me votat e mazhorancës privatizimin e kompanisë ‘Albpetrol. Opozita u shpreh kundër duke argumentuar se për kompaninë nuk duhet privatizimi, por më e përshtatshme do të ishte dhënia me koncension e kompanisë ‘Albpetrol’.
Ata theksuan se më mirë do të ishte që kjo kompani të jepej me koncension dhe të shfrytëzohej në këtë mënyrë. (LajmeShqip.com)