Lajme Shqip Thursday, 16 July 2015 08:02

Gazeta ka raportuar javën e shkuar sesi deputeti Shala, përpos që paguhet nga Kuvendi, paguhet dhe mbështetet me zyrë e staf edhe nga Qeveria, për një punë tjetër që bën – atë të koordinatorit politik në bisedimet e Kosovës me Serbinë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Juristët e kanë interpretuar këtë si shkelje aktive të Kushtetutës. Kjo për shkakun që pozita e koordinatorit shihet si funksion ekzekutiv, ndërsa si privilegj ekzekutiv shihet pagesa që i bëhet për këtë punë. E akti më i lartë juridik i Kosovës në nenin 72 precizon se deputeti nuk mund të mbajë e as të ushtrojë ndonjë funksion ekzekutiv.

Qeveria i publikon në uebfaqen e saj vendimet që i merr, por në të nuk është edhe ky për mbështetjen financiare për Shalën. Kopjen e tij gazeta ka mundur ta sigurojë vetëm nëpërmjet burimeve të saj. Dhe, është pikërisht ky vendim që të mërkurën i është nënshtruar ndryshimeve.