|
|
e Premte, 22 Qershor 2012 18:49 Prishtinë – Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e 80-të, drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, ka miratuar Projektligjin për ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, i cili është miratuar sot nga Kuvendi i Kosovës. 
Në Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës, i miratuar sot nga Qeveria, janë hequr nenet 37, 38 dhe 39 të këtij Kodi. “Dëshiroj të theksoj se si Kryeministër i vendit asnjëherë nuk do të pajtohem me ligje dhe kode të cilat krijojnë frikë tek mediumet e lira, të cilat mund të shfrytëzohen nga dikush për të cenuar lirinë e fjalës së lirë dhe mendimit”, tha kryeministri në mbledhje.
“Komuniteti i gazetarëve dhe shoqëria civile kanë artikuluar shumë qartë dhe bashkë me ta edhe ne, shqetësimin e tyre për nenet 37, 38 dhe 39. Presidentja dhe ministri i Drejtësisë kanë shprehur qartë mospajtueshmërinë e tyre për këto nene, dhe kanë pasur dhe kanë mbështetjen time të plotë. Mu për këtë arsye, unë që sot do të riprocedoj Projektligjin për ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, pa nenet 37, 38 dhe 39.
Dëshiroj që të theksoj se ky votim sot në Kuvend është një mesazh i keq për Kosovën”, tha Thaçi. Në vazhdim, kryeministri u shpreh me admirim për zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, duke thënë se Kuçi sot i ka dhënë një leksion të gjithëve dhe ka vendosur një normë të re në skenën politike, institucionale, atë të përgjegjësisë shtetërore dhe morale.
Prandaj, ka shtuar Thaçi, unë dua të besoj fuqishëm se Kuvendi i Kosovës do të rimendojë dhe do të marrë vendime në përputhshmëri me standardet e nevojshme dhe të domosdoshme dhe të proceduara nga ana jonë, që janë në interesin e zhvillimit të demokracisë, medieve të lira, mendimit të lirë, botës së civilizimit. Kryeministri ka hedhur në votim Projektligjin për ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, me të cilin hiqen nenet 37, 38 dhe 39 të Kodit.
Projektligji është votuar unanimisht nga Qeveria. Në hapje te mbledhjes, kryeministri Thaçi fillimisht ka uruar qytetarët e Kosovës por edhe institucionet dhe gjithë spektrin politik kosovar për hapat që i ka ndërmarrë sot, për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë. “Ky është një sukses i përbashkët, një kapitull i ri një kapitull që nënkupton hapjen e perspektivës së sigurt të Kosovës, është një përmbyllje e mbikëqyrjes shumë të suksesshme, e vlerësuar në mënyrë unike nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar dhe të gjithë miqtë tanë”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi duke shtuar se meritor për këtë përfundim të suksesshëm jemi të gjithë, gjithë spektri politik, shoqëria civile, mediat.
Zbatimi i dokumentit Ahtisaari do të konfirmohet plotësisht me dy korrik, gjithashtu pastaj edhe me përmbylljen zyrtare në fillim të shtatorit. Pra me vendimet e sotme, definitivisht është hapur kapitulli i perspektivës evropiane të Kosovës, nga një proces që e kemi pasur për të zbatuar dokumentin e Presidentit Ahtisaari, me synimin e sigurt për tu anëtarësuar në NATO dhe në Bashkimin Evropian, ka shtuar Thaçi.
Në një zhvillim tjetër, sipas disa mediumeve, ambasadori amerikan Christopher Dell ka zhvilluar një takim me presidenten Jahjaga pikërisht lidhur me nenet kontestuese që janë miratuar sot në Kuvendin e Kosovës. Ndaj këtij akti të deputetëve të PDK-së ka reaguar edhe përfaqësuesi special i BE-së dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, i cili ka thënë se është i zhgënjyer me vendimin e Kuvendit të Kosovës. Sipas vlerësimit të tij, nenet 37 e 38 rrënojnë lirinë e medieve. “Është për keqardhje që ky vendim vjen pas vizitës së delegacionit të KE-së, i cili duhet të konstatojë përparimin dhe aftësitë e Kosovës për tu angazhuar në bisedimet për Marrëveshjen e Stabilizim-asociimit”, ka shkruar Zhbogar në kumtesën e tij. (K.N)