Lajme Shqip Tuesday, 27 October 2015 08:46

Qeveria nuk e ka ndërmend t’i përgjigjet kërkesës së opozitës për tërheqje nga marrëveshjet e fundit duke përjashtuar edhe mundësinë e referendumit. Me gjithë tensionet e ngritura dhe paralajmërimin e opozitës për ashpërsimin e masave të bllokadës deri në protesta mbarëpopullore, as Kryesia e Kuvendit nuk do të zmbrapset nga thirrja e seancave plenare.

Zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi, ka thënë për “Kohën Ditore” se Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi janë obligime ligjore.

Ai ka përjashtuar çdo mundësi që ato marrëveshje të jenë subjekt referendumi, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Pra, nuk janë subjekt referendumi edhe sikur ky të parashihej me ligj. Sidoqoftë këto janë obligime të trashëguara dhe kjo do të thotë që ato janë votuar edhe nga opozita e atëhershme dhe e sotmja. Pra, nëse atëherë nuk kanë qenë subjekt referendumi pse duhet të jenë tani”, ka thënë Abrashi.

Ai ka theksuar se opozita po keqpërdor idenë e referendumit kur ai nuk është i paraparë me ligj vetëm për të larguar përgjegjësinë nga vetja. Nga opozita e “atëhershme”, vetëm lëvizja “Vetëvendosje” kishte kundërshtuar marrëveshjet e Brukselit.