Lajme Shqip Monday, 26 October 2015 10:01

Institucionet që Kushtetuta i definon si të pavarura kanë refuzuar t’i përgjigjen kërkesës së Qeverisë për t’iu nënshtruar procesit të standardizimit dhe unifikimit të titujve të vendeve të punës dhe përshkrimit të detyrave të punës sipas një katalogu të hartuar në fillim të këtij viti. Qeveria ka nisur të hakmerret për këtë.

Ekzekutivi ka filluar procesin e ndryshimeve në Ligjin për shërbimin civil, nëpërmjet të cilave u cenohet pavarësia këtyre institucioneve, shkruan sot Koha Ditore.

Ligji ekzistues në nenin 3 garanton që “gjatë zbatimit të këtij ligji, respektohet pavarësia kushtetuese e institucioneve të pavarura nga ekzekutivi”. Kjo dispozitë nuk figuron fare në Projektligjin që përmban ndryshimet, e një kopje të të cilit e ka siguruar “Koha Ditore”. Është shlyer i tëri. Me ndryshimet e bëra, Qeveria do që ligji të zbatohet “për çdo nëpunës civil, që ushtron një autoritet administrativ publik në një institucion të administratës publike në nivel qendror dhe lokal”.

Krahas Gjykatës Kushtetuese, Kushtetuta i definon si institucione të pavarura edhe Avokatin e Popullit, Auditorin e Përgjithshëm, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Bankën Qendrore dhe Komisionin e Pavarur për Media.

Avokati i Popullit ka shprehur mospajtimin me ndryshimet në Ligjin për shërbimin civil, që i ka paraparë Qeveria. Ky institucion ka listuar një varg vërejtjesh, në krye të të cilave është ajo për cenimin e statusit.