Lajme Shqip Thursday, 23 June 2011 13:21

Tiranë – Qeveria shqiptare miratoi së fundi projektligjin që do të liberalizojë tarifat për sigurimin e detyrueshëm motorrik në sektorin e transporteve. Aktualisht, vlera e primit të sigurimit të detyrueshëm për përgjegjësinë ndaj palëve të treta përcaktohet nga Ministria e Financave. Sipas projektligjit, shoqëritë e sigurimit i përcaktojnë vetë tarifat e primit të sigurimit, sipas kushteve të tregut.

Megjithatë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ngarkohet të miratojë rregullat për përcaktimin e kushteve të përgjithshme të sigurimit të detyrueshëm dhe nivelin e provizioneve teknike. Kontrolli i tarifave të sigurimit të detyrueshëm prej vitesh kishte krijuar një situatë anormale në tregun e sigurimeve. Për të konkurruar me njëra-tjetrën, kompanitë e sigurimeve i shisnin policat e sigurimit të detyrueshëm me vlera më të ulëta se ato të përcaktuara nga Ministria e Financave. Kjo ka shkatuar një deformim të tregut dhe ka krijuar raporte jo reale mes dëmeve dhe primeve.

Sigurimi në vlera simbolike ka bërë që dëmet të mos paguhen me korrektesë në vlerën e tyre reale nga kompanitë siguruese. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka qënë në favor të liberalizimit gradual të tarifave, madje ka përgatitur edhe një strategji për këtë. Por, vendimi për të ndryshuar ligjin në këtë moment është marrë nga Ministria e Financave dhe institucioni i specializuar për mbikqyrjen e tregut nuk është pyetur.

Të kontaktuar nga Lajmeshqip.com, zyrtarë të Autoritetit të Mbikëqyrjes Finaciare u shprehën se ky institucion nuk është vënë në dijeni dhe as është konsultuar nga Ministria e Financave lidhur me ndryshimet ligjore. Sigurimet e detyrueshme motorrike vazhdojnë të zënë një pjesë të rëndësishme në tregun e sigurimeve, ndonëse pesha e tyre specifike është në rënie. Sipas statistikave zyrtare, në fund të muajit prill sigurimet e detyrueshme motorrike sillnin 49% të vlerës totale të primeve, nga 52% që ishte pjesa e tyre një vit më parë.