Lajme Shqip Saturday, 25 June 2011 09:34

Tiranë – Qeveria Spanjolle, me propozim të zv/kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm spanjoll, Alfredo Perez Robalcaba, akordoi dje Medaljen e Urdhërit të Kryqit të Meritave të Guardia Civil, për 4 oficerë dhe drejtues të Policisë së Shtetit Shqiptar, në shenjë mirënjohje për punën e shkëlqyer dhe bashkëpunimin e fortë dhe efektiv në kuadër të realizimit të operacioneve të suksesshme ndërmjet policive të të dy vendeve.

Zyra e shtypit e policisë së shtetit bëri të ditur se, me këtë medalje janë dekoruar Agron Kuliçaj, zv/Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit si dhe drejtues i Departamentit kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, Nikolin Bala, drejtor i Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, Nuri Loca, Drejtor i Drejtorisë për Hetimin dhe Parandalimin e Krimit si dhe Entiol Xhelilaj, Specialist në Drejtorinë për Hetimin dhe Parandalimin e Krimit.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar në ambientet e Ambasadës Spanjolle në Tiranë, Ambasadori Rafael Tormo Perez, e  cilësoi nder, dekorimin e 4 drejtuesve të policisë shqiptare, të cilët përmes punës dhe angazhimit të tyre përfaqësojnë të gjithë forcën e policisë shqiptare.

“Policia shqiptare ka përgjegjshmëri të lartë dhe këtë e dëshmoi dhe gjatë zhvillimit të zgjedhjeve lokale, ku u vlerësua nga të gjithë aktorët”, tha Ambasadori.

Duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira të bashkëpunimit mes dy vendeve, diplomati spanjoll  shprehu gatishmërinë për të mbështetur në vijimësi Shqipërinë në integrimin e plotë në BE.
Ndërsa ministri i Brendshëm Bujar Nishani shprehu falënderime për qeverinë spanjolle, e cila nëpërmjet nderimin me medalje për 4 punonjës të policisë, vlerëson të gjithë punonjësit e policisë së shtetit shqiptar.

Nishani theksoi se “Policia shqiptare, është një ndër institucionet më të konsoliduara të shtetit shqiptar, kjo falë jo vetëm angazhimit të punonjësve të saj, por dhe bashkëpunimit, asistencës dhe partneritetit që kanë ofruar të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit”.

Ministri nënvizoi se, “motoja e pandryshuar e Qeverisë Shqiptare është tolerancë zero ndaj krimit”. “Lufta kundër krimit të organizuar e trafiqeve në tërësi dhe siguria janë çështje të parësore. Përmes tyre qeveria shqiptare ofron garanci e siguri dhe përtej kufijve të Shqipërisë dhe tek partnerët”, tha ai.