Lajme Shqip Wednesday, 09 September 2015 19:25

Qeveria e Kosovës është e vendosur se s’ka ndryshime kushtetuese e ligjore për të përshtatur Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Sipas marrëveshjes së fundit të Brukselit, Asociacioni do të ketë shumë të drejta, përfshirë atë që të jetë kategori kushtetuese.

Por, zëvendësministri i Pushtetit Lokal i ka thënë KTV-së se Asociacioni duhet të përdorë vetëm ligjet aktuale të Kosovës për të funksionuar.

Kështu, nëse dërgojnë çështje në Gjykatën Kushtetuese për interpretim, këtë ta bëjnë përmes Presidentes, Avokatit të Popullit ose Kuvendit, raporton KTV.

“Ne jemi siguruar me marrëveshjen e parimeve se nuk do të ketë ndryshime ligjore dhe kushtetuese, për shkak të themelimit të Asociacionit. Asociacioni do të veprojë në kuadër të ligjeve të Kosovës, prandaj do të ketë të drejta, të cilat janë paraparë me ligjet e Kosovës. Pra, Asociacioni duhet të shohë rregullativën kushtetuese dhe ligjore dhe të veprojë vetëm në kuadër të saj”, ka thënë Bajram Gecaj për KohaVisionin.

Por, shoqëria civile nuk e beson këtë duke vënë në pah që edhe nëse ndodh kështu, Asociacioni, përmes Listës Serbe në Kuvend, do të krijojë probleme për funksionimin e shtetit.