Lajme Shqip Wednesday, 10 April 2013 17:09

Prishtinë – Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të besojë se dialogu është zgjidhja e vetme dhe mbetet e përkushtuar për këtë proces. Qeveria  beson plotësisht në përkushtimet e baroneshës Ashton dhe adresën e vetme të informimit dhe prezantimit të opinioneve të veta, Beogradi do ta ketë Brukselin dhe kabinetin e baroneshës Ashton, aty ku janë zhvilluar takimet për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi,  theksoi kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen  djeshme të Qeverisë, në një ekspoze lidhur me zhvillimet aktuale politike në vend, me theks të veçantë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi tha se  “Qeveria e Kosovës, ashtu siç janë informuar edhe të gjithë faktorët tjerë relevantë, është e informuar me refuzimin që pala serbe i bëri propozimit të baroneshës Ashton, për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Propozimet e bëra nga Bashkimi Evropian, konkretisht nga baronesha Ashton, ishin në funksion të paqes, stabilitetit dhe evropianizimit të rajonit, dhe të cilat do të shënonin edhe fillimin e përmbylljes së një konflikti historik në rajon”.

Tashmë, Kosova ka bërë një varg kompromisesh që kulmuan me pakon gjithëpërfshirëse të presidentit Ahtisari. Po ashtu edhe për gjatë tërë këtij procesi, Qeveria dhe institucionet e Kosovës kanë qenë të gatshme për vendime jo të lehta, por në dobi të Kosovës dhe të ardhmes së saj evropiane. Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të besojë se dialogu është zgjidhja e vetme dhe mbetet e përkushtuar për këtë proces, shtoi Thaçi në vazhdim.

Qeveria e Kosovës beson plotësisht në përkushtimet e baroneshës Ashton dhe adresën e vetme të informimit dhe prezantimit të opinioneve të veta, Beogradi do ta ketë Brukselin dhe kabinetin e baroneshës Ashton, aty ku janë zhvilluar takimet për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tha Thaçi.

Ai ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme dhe qëndrimin unik të të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian në mbështetje të baroneshës Ashton.

Ritheksoj, tha ai, se  me normalizimin e raporteve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, do të ishin fitues edhe Kosovës, edhe Serbia, edhe rajoni, edhe BE-ja; do të ishin me interes të madh edhe investimet e të SHBA-ve në këtë proces dhe gjithë mekanizmave relevantë ndërkombëtarë.

Prandaj, Prishtina do të angazhohet maksimalisht që të përmbyllë këtë proces në bazë të përkushtimeve tona që kemi, duke respektuar gjithmonë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, për çka jemi në kontakt të vazhdueshëm me baroneshën Ashton, të cilën e inkurajojmë, ashtu siç është zotuar, të përmbyll këtë proces të domosdoshëm për paqe dhe stabilitet, si dhe falënderojmë për rolin e shkëlqyeshëm dhe brilant në udhëheqje”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi në hapje të mbledhjes.

Qeveria e Kosovës ka aprovuar Planin e Veprimit për Liberalizimin e Vizave, i cili adreson kriteret  e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave dhe të rekomandimeve të dala nga Raporti i parë vlerësues i Bashkimit Evropian për zbatimin e Udhërrëfyesit. Plani përfshinë aktivitetet që janë në përgjegjësi të të gjitha institucioneve vendore.

Qëllimi i këtij Plani është që të përmbledhë kriteret që përmban Udhërrëfyesi për Liberalizimin e Vizave dhe rekomandimet e Komisionit Evropian.

Plani përmban veprime konkrete dhe indikatorë matës, të cilët do të shfrytëzohen  për monitorimin e zbatimit të kritereve.

Gjithashtu, në planë janë të identifikuara në mënyrë të qartë dhe të hollësishme institucionet përgjegjëse dhe përkrahëse, afatet kohore si dhe buxhetimi shtesë për zbatimin e këtyre kritereve dhe rekomandimeve.(LajmeShqip.com)