Lajme Shqip Thursday, 26 June 2014 11:00

Vritet me armë zjarri bankieri dhe biznesmeni i njohur Artan Santo. Ngjarja ka ndodhur në zonën e ish-Bllokut rreth orës 09:30 të mëngjesit. Biznesmeni Santo, është qëlluar me plumb në kokë nga 2 persona të maskuar që ishin me motor, të cilët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Santo ka qenë duke dalë nga banka Credins, në momentin kur është qëlluar 6 herë me pistoletë nga atentatorët.

Sipas informacioneve paraprake autorët kanë qenë të maskuar për të mos u identifikuar nga kamerat e shumta të sigurisë në këtë zonë. Ata kanë kryer ekzekutimin dhe janë larguar pa asnjë gjurmë në drejtim të zonës së Liqenit.

Policia dhe grupi hetimor të mbërritur në vendngjarje, kanë sekuestruar kamerat e sigurisë të bankës në rrugën “Ismail Qemali” në zonën e ish-bllokut. Në të gjitha rrugët e Tiranës janë ngritur postblloqe për të mundësuar kapjen e autorëve. Policia bën me dije gjithashtu dhe llojin e motorit, i cili ishte tip ‘Scooter’ me dy numrat e fundit të targës, 09 dhe gjithashtu ka listuar dy emra dhe ka dy fotot e personave që dyshohen për atentatin ndaj biznesmenit.

Sipas burimeve të policisë, atentaorët janë me banim nga Fushë-Kruja, ndaj dhe drejt këtij qyteti është nisur një grup i Drejtorisë së Policisë së Shtetit dhe sektori i krimeve të Rënda. 80 oficerë janë në terren duke u marrë me provat materiale dhe shoqërimet e personave, të cilët ishin dëshmitarë në vendngjarje.

Roja i sigurisë i bankës Credins, i cili ka parë të gjithë ngjarjen është dëshmitari kyç i këtij ekzekutimi, pasi sipas dëshmisë së tij paraprake ai ka deklaruar se ka dëgjuar një bisedë mes biznesmenit dhe atentatorëve, të cilët e kishin ndjekur me motor. Ka qenë e pamundur për të ndërhyrë me ndihmën e parë, pasi biznesmeni ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Biznesmeni 58-vjeçar, babai i dy fëmijëve, ishte aksioner i bankës Credins, i televizionit News 24 dhe i televizionit Scan.

Dëshmitarja: Santo ishte i vetëm, pranë tij vetëm roja i sigurisë

Ndërkohë, një luleshitëse në trotuarin përballë bankës Credins ku u ekzekutua biznesmeni Artan Santo, rrëfen për mikrofonin e A1 REPORT, se e pa të ndjerin Santo t’i drejtohej bankës ashtu siç bënte çdo mëngjes. Ajo tregon se 58-vjeçari ishte i vetëm, dhe se pranë tij, në kabinën në hyrje të bankës ndodhej roja i sigurisë.