Lajme Shqip Tuesday, 11 February 2014 19:19

Nen kryesimin e KNKK-së, Grupi Punues për persona të zhdukurnë lidhje me ngjarjet e viteve 1998-1999 në Kosovë, u takua sot në Beograd. Përfaqësuesit e Prishtinës dhe ata tëBeogradit gjatë takimit të zhvilluar kanë rënë dakort se duhen shtuar përpjekjet në kërkim të informatave të reja.

Gjatë takimit të sotëm, familjet shprehën shqetësim mbi progresin e kufizuar të arritur vitin e kaluar. Ata u bënë thirrje të dy palëve që të ndërmarrin hapa më të shpejtë.

“Të dy palët, Beogradi dhe Prishtina, pranuan se duhet shtuar përpjekjet e tyre në kërkim të informatave të reja, dhe u zotuan para familjeve që të ndërmarrin hapa konkret me qëllim që procesi i kërkimit të ecë më shpejtë përpara”, theksoi Lina Milner, kryesuese e Grupit Punues.

Në Rudnicë dhe Rashkë, punët do të rifillojnë në pranverën e vitit 2014, duke u bazuar në hapat konkret të propozuar sot nga delegacioni i Beogradit që parashohin largimin e godinës që gjendet në lokacion, zhvarrimin, autopsinë, identifikimin dhe dorëzimin e mbetjeve mortore familjeve, si dhe vlerësimin e një lokacioni tjetër në zonën e njëjtë.

Adresimi i çështjes së 351 mbetjeve mortore të paidentifikuara të cilat mbahen në morgun e Prishtinës gjithashtu u nënvizua si prioritet për vitin 2014.

Sipas ligjit ndërkombëtar për të drejta të njeriut, familja e personit të zhdukurka të drejtë të informohet mbi fatin dhe vendndodhjen e familjarit të tyre. Autoritetet dhe ish-palët ndërluftuese mbartin përgjegjësinë kryesore për të dhënë përgjigje mbi fatin e personave të zhdukur. /albeu.com/