Lajme Shqip Monday, 27 June 2011 14:09

Tiranë – Partia Socialiste ka tre ditë afat për të ankimuar pranë KQZ-së rezultatin e shpallur të shtunën nga ky Komision për kryetarin e bashkisë Tiranë.

Sipas Kodit Zgjedhor (neni 124), brenda ditës së martë (28 qershor) PS ka të drejtë t’i drejtohet me kërkesë ankimore KQZ-së për kundërshtimin e vendimit për tabelat e rezultateve në Tiranë.

Në përmbyllje të fazës ankimuese në KQZ, palëve u jepet mundësia që brenda 5 ditëve të paraqesin pretendimet e tyre në Kolegjin Zgjedhor, pranë Gjykatës së Apelit. Ky i fundit, nga ana e tij, që nga momenti i paraqitjes së kërkesës ankimore, ka në dispozicion 10 ditë kohë për t’i shqyrtuar ato dhe më pas për të shpallur vendimet, që janë të formës së prerë.

KQZ shpalli zyrtarisht të shtunën në mbrëmje kandidatin demokrat Lulzim Basha fitues të garës për kryeqytetin, me 93 vota më shumë se rivali i tij socialist, Edi Rama.

Gjatë kësaj mbledhje, që u shoqërua me debate të forta, përfaqësuesit e opozitës përsëritën pretendimet e tyre për parregullsi të shumta në procesin e numërimit të votave të hedhura në kutinë e gabuar, duke veçuar mospërputhjen mes numrit të votuesve dhe fletëve të votimit që sipas tyre, rezultojnë më të shumta në numër. Socialistët kanë paralarajmëruar se do të kërkojnë pavlefshmëri të procesit të numërimit.