Lajme Shqip Thursday, 23 June 2011 19:27

Tiranë – Me njësinë bashkiake numër 11, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë mbylli sot pasdite procesin e vlerësimit të fletëve të hedhura në kutinë e gabuar.

Në përfundim të procesit u hapën gjithsej 1793 kuti nga 368 qendra votimi, që prekeshin nga vendimi i Kolegjit Zgjedhor. Në këto 1793 kuti të hapura u gjetën 498 fletëvotime të hedhura gabim, kurse diferenca mes kandidatëve Basha dhe Rama, ishte 14 vota përpara kandidati Basha.

Me këto 14 vota, diferenca e përgjithshme shkon në 95 vota përpara për Lulzim Bashën. Në përfundim të procesit përfaqësuesi ligjor i PS, Genc Gjoncaj e cilësoi procesin të cënuar në integritetin e tij dhe tha se Partia Socialiste rezervonte të drejtën për të bërë apelim.

Kurse zëdhënesi i KQZ-së, Leonard Olli e vlerësoi procesin transparent dhe të saktë. Tani pritet që KQZ t’i pasqyrojë këto vota në tabelën përmbledhëse të rezultatit për bashkinë e Tiranës. Por, mbledhja e radhës nuk është njoftuar se kur do të mbahet.