Lajme Shqip Tuesday, 07 August 2012 18:59

Tiranë – Sekretari i çështjeve ligjore, Fatmir Xhafaj reagoi menjëherë pas deklaratave të Kryeministri Berisha mbi referendumin popullor për imunitetin, duke thënë se është e pakuptimtë të votohet për një çështje që s’ka palë kundërshtare.

Xhafaj sqaroi se Partia Socialiste është dakord me referendumin, por “të diskutohen 4 çështje: imuniteti (meqë do Kryeministri), reforma në drejtësi, ndalimi i marrëveshjes për cënimin e kufijve detarë, si dhe ndalimi i importimit të plehrave”.

“Ai do të ftojë qytetarët në referendum për një çështje që janë të gjithë në një mendje, i fton të votojë shqiptarët për tekat e tij. Ai do organizojë një proces që kushton miliona euro, nga taksat e shqiptarëve, të hapë një debat shterp për tu hequr nga vëmendja qytetarëve qeverisjen e tij të paaftë”, u shpreh Xhafaj në një konferencë për shtyp.

Ndërkaq, sekretari i çështjeve Ligjore, tha se Berisha “është tulla e fundit e murit që na mban me të shkuarën dhe na ndan nga e ardhmja. Ne nuk mohuam zgjidhjen kushtetuese, por të votohet të gjitha amendamentet si një pjesë e një procesi të përbashkët. Jemi pro amendamenteve që kufizojnë imunitetet e zyrtarëve të lartë. Të gjitha të tjerat janë spekulime politike që nuk meritojnë më debatin tonë”. (LajmeShqip.com)