Lajme Shqip Tuesday, 02 April 2013 16:02

TIRANE - Kryetarët e dy partive Rama-Meta kanë rënë dakord mes tyre që të ndjekin një skenar të caktuar për të shkuar drejt një bashkëpunimi parazgjedhor mes tyre. Një ditë më parë burime pranë dy partive pohojnë se bisedat për këtë marrëveshje kanë kohë që kanë nisur, por është pritur momenti i duhur për të shkuar në realizimin e saj. Sot pati zhvillime të shumta në kampin socialist dhe reagime nga ai, demokrat.

Pak para se Rama të zyrtarizonte ftesën për LSI, Berisha komentoi në ‘Facebook’ se çdo forcë politike ka të drejtë të zgjedhë të bëjë koalicion me kë dëshiron. Në mbledhjen e kryesisë së PS u bë zyrtare ftesa për LSI, kurse në mbledhjen e grupit parlamentar të kësaj partie pati debate të shumta dhe të zjarrta mbi këtë marrëveshje. Rama vlerësoi se për hir të interesit kombëtar do bëjë koalicion me LSI, por jo të të njëjtit mendim kanë qenë deputetë të PS dhe aleatë të kësaj force politike.

DEPUTETET E PS KUNDËR ALEANCËS ME LSI
Ora 13:30
-Mbledhja e kryesisë ku u zyrtarizua dhe ftesa që PS i drejtoi LSI për një koalicion në zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit është karakterizuar me debate të shumta. Kundra këtij vendimi dolën Arta Dade, Erjon Braçe, Pandeli Majko. Deputeti Majko sot ne mbedhje heshti por anëtari i Kryesisë socialiste, u shpreh dje kundër një bashkëpunimi parazgjedhor me LSI-në. Në adresën e tij në rrjetin social Facebook, Majko, përmes një postimi tregon qëndrimin e tij të papajtueshëm për një afrim me LSI-në, duke e cilësuar ditën e djeshme, 1 prillin, si ditën e gënjeshtrës dhe politikanëve që mohojnë të vërtetat. “Miq! Gëzuar 1 prillin! Ditën e mashtrimit dhe gënjeshtrës. Ditën kur gënjeshtrën e mirëkuptojmë si humor. Kjo është dita kur themi gënjeshtra të “stisura” ose pa dashje pohojmë të vërtetat e mëdha të gënjeshtrës. Ai është fakti se në ditët e tjera të vitit gënjeshtra është edhe zgjedhja juaj”, shkruan Majko në adresën e tij. Për ish-kryeministrin socialist, në periudhat më të vështira të historisë së kombit shqiptar, politikanët e 1 prillit nuk po i japin alternativa popullit për të bërë dallimin se cili gënjen dhe cili thotë të vërtetën. “Gëzuar 1 prillin, ditën e politikanëve që nuk u bënë kurrë të tillë, por iu dorëzuan shenjës së kësaj date. Të gënjesh një popull është faj. Ta lësh atë pa të drejtën e zgjedhjes midis të vërtetës dhe gënjeshtrës është dramë e maskarenjve pa principe të politikës. Kjo është arsyeja që besoj se gënjeshtra kujtohet, por nuk festohet. Rilindja e së vërtetës është shpresa për nesër. Kam zgjedhur koalicionin e 21 janarit dhe jo atë të 1 prillit”, shkruan Majko.
Shënimin e tij në faqen e tij në Facebook, i cili përshkohet nga një zemërim i dukshëm, Majko e mbyll me një fjali që paralajmëron një debat të fortë në mbledhjen e Kryesisë socialiste që do të zhvillohet sot paradite. “Nesër është 2 prill. Ditë e bukur për ‘t’u vrarë’”, përfundon Majko shënimin e tij në Facebook.

TAHIRI: FTESA PER LSI, PREMISA ME MORALE PER REALIZIMIN E PROGRAMIT TONE
ORA 13:15 -
Në një deklaratë të shkurtër për mediat, deputeti socialist Saimir Tahiri tha se ftesa e PS-së për LSI-në është premisa më morale për të realizuar programin për një rilindje shqiptare. “Ne duam tu japim shqiptarëve programin që kemi realizuar bashkë me ta, duke fituar zgjedhjet”,- u shpreh Tahiri.

BLUSHI: KOALICION ME TË GJITHË ATA QË FLUTUROJNË
Ora 12:50
-Pas mbledhjes së grupit të PS, para dyerve të selisë rozë, deputeti Ben Blushi komentoi për mediat këtë ftesë të PS për koalicion me LSI.
“Në vitin 2009 kemi humbur për këtë arsye dhe është në arsye që ne duhet ta shmangim. Ne e dinim që çdo gjë që fluturon hahet, ne do bëjmë koalicion me të gjithë ata që fluturojnë i vetmi që nuk fluturon është Saliu”, tha Blushi.

RAMA: JEMI SOCIALISTE, S’DUHET TE NGUROJME KUR MUND TE UDHEHEQIM

ORA 12:40 - Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, kryesocialisti Edi Rama ftoi zyrtarisht Lëvizjen Socialiste për Integrim për tu bashkuar me PS-në në koalicionin parazgjedhor, në mënyrë që siç tha ai, shumicës së vendit t’i kthehet e drejta për të qeverisur.

Ndërsa shpjegoi arsyet e këtij vendimi, duke cilësuar si prioritare interesat e shqiptarëve dhe garantimin e zgjedhjeve, Rama tha se “në kushtet ku ndodhet vendi, vetëm një koalicion forcash me vullnetin e madh për bashkim mund ta izolojë Berishën dhe planin e tij të lexueshëm për vjedhjen e zgjedhjeve”.

Më tej, Rama theksoi se Partia Demokratike nuk mund të përfitojë më nga ndarja e socialistëve të Shqipërisë.
“Nga ky bashkim do të humbiste vetëm PD, e cila ka përfituar 8 vjet rresht falë manipulimeve zgjedhore dhe mosmarrëveshjeve në kampin tonë. Sot duhet bashkim, askush që do rotacionin nuk duhet t’i trembet këtij bashkimi. Nga ky bashkim do të fitonte çdo njeri i zakonshëm në këtë vend, që prej 8 vjetësh nuk voton dot i lirë, nuk mendon dot i lirë, për shkak të shantazhit politik të kryeministrit. Shumica dërrmuese e shqiptarëve kanë arsye të dyshojnë fort sot se vota përsëri është e kërcënuar nga vjedhja, ashtu siç kanë arsye të mendojnë se e ardhmja e këtij vendi është peng i historisë që përsëritet”,- theksoi Rama. 

Në pritje të përgjigjes zyrtare të LSI-së, Rama theksoi se PS pret që partia e Metës t’i përgjigjet ftesës duke u nisur nga interesi i vendit dhe së majtës shqiptare. Rama mirëkuptoi edhe qëndrimet e kritikëve për këtë vendim, por theksoi se bashkimi i së majtës është rruga e fitores, që i jep socialistëve pushtetin për të të sjellë ndryshimin.

“E di që e shkuara ka hijen e saj, por kur politika nuk e kapërcen dot të shkuarën, e shkuara mban peng politikën. Ne jemi këtu për të mos lejuar që e ardhmja t’i ngjajë së shkuarës. Nuk pres që sot të gjithë të më jepni të drejtë, pres vetëm që të më kuptoni se unë dua të fitoj për të gjithë ju dhe kjo është rruga e fitores që na jep pushtetin për të ndryshuar gjërat. Ne jemi PS dhe jemi bërë për të fituar dhe jo për të nguruar atëherë kur mund të udhëheqim”,- u shpreh Rama.

KOALICIONI PS-LSI, XHAXHAI I ALEKS NIKËS KËRKON TAKIM ME RAMËN
ORA 12:10
-Pas lajmit se Rama po bën koalicion me Metën, xhaxhai i Aleks Nikës, protestuesit të vrarë më 21 Janar kërkoi sot një takim me kryetarin e PS. “Pasnesër takim me Edi Ramën, nëse kjo është e vërtetë, atëhere kjo është një tradhti!”, tha xhaxhai i Akleks Nikës, një prej 4 protestusve që mbetën të vrarë më 21 Janar të vitit 2011.

NGJELA: DUHET NJË QEVERI TEKNIKE, META TA ÇOJË PUNËN DERI NE FUND
ORA 12:00-
Spartak Ngjela, kreu i PLD në një interviste për “News 24″ theksoi se pas largimit të LSI nga koalicioni qeverisës, duhet një qeveri teknike. Sipas Ngjelës, lëvizje e Metës është politike dhe se ai si kryetar i PLD është pro koalicioneve.

“Qeverisë i humbet legjitimiteti, duhet një qeveri teknike, ndaj Meta ta çojë punën deri në fund. Unë jam pro koalicioneve, ndaj lëvizja e Metës ishte politike”, tha Ngjela gjatë një interviste për “News 24″.

PS MBLEDH KRYESINE, ZYRTARIZOHET FTESA PER KOALICION ME LSI
ORA 11:25
-Kryesia e PS zyrtarizon ftesën për koalicion me LSI. Burime bëjnë të ditur për “News 24″, se vendimi u miratua me jounanimitet në mbledhjen e kryesise, pasi mbledhja u karakterizua dhe me debate.  Deputeti Erjon Braçe është shprehur kundër kësaj aleance. Për të argumentuar këtë ai bëri dhe lidhjet me ngjarjet e 21 Janarit.

TOPALLI: PAVARESISHT LARGIMIT TE LSI, QEVERISIM DERI ME 23 QERSHOR
ORA 11:09 -
Në të njëjtën linjë me kryeministrin Berisha, kryeparlamentarja Jozefina Topalli e cilëson largimin e LSI-së nga qeveria si zbatim të së drejtës së çdo partie politike për të bërë zgjedhjet e veta. 

Nga Shkodra, Topalli u shpreh e bindur se shqiptarët do të zgjedhin sërish demokratët më 23 qershor.
“Jam optimiste se në 23 qershor shqiptarët do dinë të zgjedhin. Pavarësisht largimit të LSI, qeverisim deri më 23 qershor”,- u shpreh Topalli.

BERISHA: PARTITË BËJNË ZGJEDHJEN QË DËSHIROJNE
Ora 10:00-
Kryeministri Sali Berisha ka reaguar në rrjetin social Facebook mbi marrëveshjen parazgjedhore Rama-Meta.
Reagimi bëhet një ditë pasi mediat mësuan mbi nënshkrimin e një marrëveshjeje mes aleatit të tij në qeverisje, Meta me kundërshtarin politik, Rama. Sipas Berishës, çdo forcë politike ka të drejtën të bëjë zgjedhjet e saj, ndërsa ai në postin e kryeministrit ka për detyrë të gjejë zgjidhje kushtetuese për çdo problem institucional që mund të krijohet.

“Mirëmëngjes miq! Një debat i gjerë ka shpërthyer lidhur me njoftimet se LSI do të vendos të lerë qeverinë. Qëndrimi im ka qenë dhe mbetet i pandryshuar se çdo forcë politike bën zgjedhjen që dëshiron. Natyrisht për mua, qeveria dhe qeverisja janë përgjegjësi që bëhen edhe më të mëdha në periudhë elektorale.

Me këtë rast dua të siguroj zgjedhësit se asgjë nuk do të cënojë vendosmërinë e qeverisë për organizimin e një procesi zgjedhor të lire dhe te ndershem ne perputhje me Kodin Zgjedhor dhe Kushtetuten e vendit. Së dyti, dua të garantoj qytetaret se Kushtetuta e vendit ka te gjitha percaktimet e qarta per zgjidhje plotesisht kushtetuese te çdo problemi institucional dhe se ajo do te respektohet me rigorozitet në frymen dhe germen e saj. Une mbetem totalisht i përkushtuar te punoje me te gjithe energjite e mia, ne interesin me te mire te qytetareve dhe te vendit. Pershendetje, sb”, shkruan Berisha në ‘Facebook’.

RAMA MBLEDH TË VETËT, FESTON DERI NË MESNATË. ZYRTARISON SOT NE MBLEDHJEN E KRYESISE FTESEN PER KOALICION ME LSI
Partia Socialiste zyrtarizon sot, në mbledhjen e kryesisë, ftesën për koalicion drejtuar Lëvizjes Socialiste për Integrim. Por, para mbledhjes së kryesisë, kreu socialist, Edi Rama mblodhi në një darkë pune një pjesë të kryesisë së PS-së dhe grupit parlamentar. Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko, Arben Ahmetaj, Taulant Balla, Blendi Klosi, Ditmir Bushati, Bashkim Fino, Damian Gjiknuri, Saimir Tahiri, Eduard Shalsi, Erion Veliaj, bashkiakët Qazim Sejdini, Vangjush Dako, Niko Peleshi e Endri Fuga ishin dje, pjesë e darkës në një prej lokaleve të periferisë së Tiranës, “Xibraku”. Për rreth 4 orë, deputetët dhe Rama kanë shkëmbyer mendime, jo vetëm për ofertën ndaj Metës, por edhe për atë se si kjo do të pritet në elektoratin socialist. Tashmë është folur për një marrëveshje Rama- Meta, sipas së cilës LSI-ja largohet nga Qeveria me kushtin që PS-ja të votojë 3 ligjet e integrimit, që është edhe misioni i LSI-së në këtë qeveri. Pas darkës me deputetët, Rama u shpreh se “ishte një darkë festive”. Arsyeja e dhënë zyrtarisht për këtë darkë ishte lindja e djalit të dytë të deputetit Eduart Shalsi, megjithatë pakkush e ka besuar se kjo ka qenë arsyeja e vetme. Sot, rreth orës 10:30 mblidhet edhe kryesia e PS-së, e cila duket hapur se nuk do ta kalojë pa debate afrimin me LSI-në. Deri më tani, publikisht janë shprehur kundër marrëveshjes me Metën, anëtarë të kryesisë si Erjon Braçe, Pandeli Majko.

Por, sipas burimeve nga PS-ja, ka qenë edhe një lloj presioni nga të majtët evropianë që kërkojnë nga të majtët shqiptarë t’i japin fund kapitullit “Berisha” në qeverisje të vendit. 
Dhe thirrjet e tri ditëve të fundit të faktorit ndërkombëtar, presidentit të Partisë Socialiste Europiane, Sergei Stanishev, zv.presidentit të Parlamentit Europian, Xhani Pitella dhe dje të presidentit të Internacionales Socialiste, Jorgo Papandreu për t’u bashkuar Rama dhe Meta në një koalicion të përbashkët parazgjedhor për të qeverisur pas zgjedhjeve të bashkuar, kanë qenë të koordinuara në funksion të qëllimit të shkëputjes nga qeverisja aktuale.

Zbardhen detaje nga marrëveshja Rama-Meta
Kryetarët e dy partive kanë rënë dakord mes tyre që të ndjekin një skenar të caktuar për të shkuar drejt një bashkëpunimi parazgjedhor mes tyre. Burime pranë dy partive pohojnë se bisedat për këtë marrëveshje kanë kohë që kanë nisur, por është pritur momenti i duhur për të shkuar në realizimin e saj. Kreu i PS-së, Edi Rama, ka pranuar që deputetët e Grupit parlamentar socialist, pas disa muajsh refuzimi, të votojnë tri ligjet që kërkon Brukseli nga Shqipëria për marrjen e statusit të vendit kandidat, edhe pse afatet për ta arritur këtë tashmë kanë përfunduar. Tri ligjet mund të votohen edhe ditën e enjte gjatë seancës plenare, ndërsa sipas marrëveshjes Rama-Meta, LSI do të largohet nga qeveria duke tërhequr dhe ministrat e saj. E perditshmja ‘Panorama’ shkruan se Meta i ka kërkuar Edi Ramës që t’i garantojë tre vende në listat e kandidatëve të PS për përfaqësues të LSI-së, tre ministri të rëndësishme, por dhe drejtuesin e Parlamentit. Mësohet se nga ana e Ramës këto kushte janë pranuar, por kreu socialist ka kërkuar që ministritë të drejtohen nga emra të tjerë, për të ndryshuar imazhin e qeverisë së ardhshme.

Një ditë para mbledhjes së Kryesisë socialiste, e cila do të vendosë të ftojë LSI-në në një bashkëpunim parazgjedhor me PS, Rama ka zhvilluar një darkë me një grup të madh të anëtarëve të Kryesisë. 

PRAPASKENAT
Pas tri thirrjeve të figurave të së majtës evropiane për bashkim Rama-Meta para zgjedhjeve të 23 qershorit, të majtët e Tiranës nisën dje, lëvizjet politike. Paraditen e 1 prillit, kreu i LSI-së, Ilir Meta takoi në Kryeministri kreun e mazhorancës së djathtë, Sali Berisha. Edhe pse asgjë nuk u bë publike pas takimit, burimet folën për dy çështje të diskutuara mes dy aleatëve. Mësohet se Ilir Meta i ka dhënë siguri kryeministrit se nga LSI-ja nuk ka asnjë pengesë për kalimin e tri dekreteve të presidentit.

Nga ana tjetër, mes tyre është diskutuar edhe për çështjen e koalicionit. Asgjë nuk është thënë publikisht, por deri më tani, lajmi që po diskutohet në mjediset politike është largimi i Ilir Metës nga qeveria dhe bashkimi në një koalicion me PS-në. Pas takimit rreth gjysmë ore Meta-Berisha, asnjë prej tyre nuk ka konfirmuar gjë. Më pas, diku rreth mesditës, Meta mblodhi në hotel “Rogner” drejtues të kryesisë së LSI-së. Ky takim, sipas Luan Ramës ishte për çështje organizative të LSI-së, por një gjë e tillë nuk ka krijuar shumë bindje në media. LSI-ja pritet që brenda muajit prill të mbledhë Konventën e saj Kombëtare. Ky forum pritet të japë një qëndrim zyrtar edhe për këtë çështje. Nuk ka një datë për mbledhjen e forumit, edhe pse mendohet se mund të jetë mesi i muajit. Burimet thonë se nga kjo Konventë do të shpallet shkëputja nga qeveria, duke tërhequr ministrat. Pas kësaj, burimet edhe nga PS-ja flasin për krijimin e një qeverie teknike, deri në afrimin e datës së zgjedhjeve, për të mos lënë vendin në vakum qeverisës.

Madje ky skenar mendohet si më i pëlqyeshmi edhe për ata që janë dakord me këtë afrim të PS-së dhe LSI-së. Kjo, edhe për një arsye tjetër, që ka lidhje me të gjithë ata anëtarë apo simpatizantë të PS-së, të cilët mund të mos miratojnë një bashkim të tillë. Pas takimit me drejtues të LSI-së, Meta tha për mediat se: “Sot është 1 prilli dhe kuptohet që nuk ka vlerë të bëjmë ndonjë deklaratë, sepse nuk e di se sa të besueshme do të ishin deklaratat. Po ne takime kemi vazhdimisht dhe takimet janë mjaft konstruktive”. “Këto janë qëndrime, të cilat në fund fare do t’i vlerësojnë forumet e LSI-së. Meqenëse kam dëgjuar qëndrime të ndryshme për çështjen e dekreteve, natyrisht siç kemi vepruar gjithmonë, për çdo dekret do të shprehemi sipas bindjes së çdo deputeti”, – tha Meta. Po në “Rogner”, Meta ka shkëmbyer biseda edhe me kreun e PDS-së, Paskal Milo e kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule. (LajmeShqip.com)