Lajme Shqip Saturday, 25 June 2011 11:28

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) përfundoi dy ditë më parë numërimin në një kohë shumë të shkurtër dhe në mënyrë transparente të votave të kontestuara, sipas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, që kërkonte trajtim në mënyrë të barabartë të të gjitha kutive të votimit, për zgjedhjet vendore në bashkinë Tiranë.
Përgjatë pesë ditëve (18-23 qershor) vëzhgues të dy partive dhe nëpunës të administratës së KQZ-se hapën 1793 kuti të 11 njësive bashkiake të kryeqytetit, proces i shoqëruar herë pas here me debate dhe polemika, gjë që krijoi tension mes palëve.
Përfaqësuesit e opozitës u ankuan për parregullsi që lidhen me mospërputhje të kodeve mbyllëse në kutitë e votimit, për mosrakordim të numrave në procesverbale etj, gjë që sipas tyre, e bënte të paligjshëm këtë proces.
Por, sipas zyrtarëve të KQZ-së, nuk bëhet fjalë për ndryshim kodesh, sepse sistemi numerik i sigurisë së kutive është mjaft i sigurtë dhe se procesi i rishikimit të materialeve zgjedhore është bërë sipas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, që ka karakter urdhërues për Komisionin.
Pas numërimit të fletëve të votimit të hedhura në kutinë e gabuar, në total kandidati demokrat Lulzim Basha mori 256 vota, ndërsa Edi Rama 242 vota. Diferenca prej 14 votash pas hapjes së këtyre kutive i shtohet 81 votave që kandidati Basha siguroi gjatë procesit të parë të numërimit të ndërmarrë një muaj më parë nga KQZ, ku u hapën dhe u rivlerësuan votat e hedhura gabimisht në 117 kuti, duke e çuar ate ne 95 vota diference.
Gjatë ditës së sotme KQZ pritet të mblidhet pasdite për të miratuar aktin që do të përgatisë administrata e Komisionit për rezultatin përfundimtar në Tiranë.
Nga miratimi i vendimit që pritet të bëhet sot, Partia Socialiste ka pesë ditë kohë për t’iu drejtuar Kolegjit Zgjedhor për padinë e radhës. Nga reagimet e këtyre ditëve të përfaqësuesve të opozitës është lënë të kuptohet se para  shpalljes së rezultatit për Tiranën, PD dhe PS do të përballen edhe njëherë me Kolegjin Zgjedhor.(Lajmeshqip.com)