Lajme Shqip Thursday, 01 August 2013 12:27

Tiranë – Në kushtet kur KQZ nuk mund të sigurojë kuorumin e nevojshëm për certifikimin e zgjedhjeve, pasi po funksionon vetëm me katër anëtarë, Partia Socialiste i drejtohet Kolegjit Zgjedhor për shpërndarjen e mandateve të deputetëve. Tashmë Kolegji Zgjedhor pritet të vendosë për datën e mbledhjes për shqyrtimin e kërkesës së PS-së.

Përfaqësuesi PS-së, Koli Bele deklaroi se në pamundësi të KQZ-së për certifikimin e zgjedhjeve, PS iu drejtua Kolegjit si palë e interesuar, në përputhje me Kodin Zgjedhor.

“KQZ pamundësi për të bërë certifikimin e zgjedhjeve. I kërkuam Kolegjit ndarjen e mandateve. Këtë gjë mund ta kërkojnë edhe partitë e tjera.”- deklaroi Bele.

Pas shqyrtimit të të gjitha ankimimeve në Kolegj, Kodi Zgjedhor parashikon një periudhë prej tri ditësh për KQZ-në, e cila mund të miratojë ndarjen e mandateve.

Në nenin 162, pika 1 e Kodit, thuhet se “jo më vonë se 3 ditë nga përfundimi i procesit të ankimit kundër vendimit për miratimin e rezultateve të zonës zgjedhore apo pavlefshmërisë së zgjedhjeve, sipas këtij Kodi, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, mbi bazën e numrit të votave të vlefshme që subjektet kanë marrë në nivel zone zgjedhore”.

Por në nenin 24, pika 1/ a e Kodit, thuhet: “Konsiderohen të miratuara kur votojnë pro jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së, vendimet lidhur me: a) shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas neneve 162, 163 dhe 166, pika 3 të këtij Kodi”.

Pas konstatimit të pamundësisë për të ndarë mandatet nga KQZ-ja, partitë politike kanë pesë ditë afat për t’u ankuar në Gjykatë dhe sipas përllogaritjeve, ky afat është deri të mërkurën e ardhshme. Pasi Gjykata vendos ndarjen e mandateve, çështja kalon sërish në KQZ, e cila brenda 10 gushtit shpall rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.