Lajme Shqip Monday, 20 June 2011 12:14

Tiranë – Deputeti i Partisë Socialiste (PS), Erion Braçe, shprehu nevojën e realizimit të katër reformave të mëdha në Kuvend, në bashkëpunim me demokratët, propozoi një program të ri në PS dhe ndryshimin e një sërë rregullash në parti.

Deputeti Braçe, në diskutimin e tij në punimet e Asamblesë  Kombëtare të PS-së, theksoi se kjo parti i fitoi zgjedhjet e 8 majit, por ka mjaftuar vetëm një betejë e Sali Berishës ndaj rezultatit të gjithëparë e fitues të Tiranës, që PS të humbë avantazhin e aksionit politik. “PS ka fituar bindshëm, por po sillet si humbëse, sepse Berisha po na merr zvarrë në një betejë të qëllimtë për të ndalur të administrojmë fitoren. PS është fituese, por e mëdyshur”, thotë Braçe.

Sipas tij, më 8 maj PS mori nga populli dy mandate të qarta: mandatin politik, PS u votua si partia më e madhe në vend, me numrin më të madh të votave dhe të zgjedhurve në nivelin e këshillave bashkiakë vendorë, si dhe mandatin qeverisës, ku PS u votua si alternativa që do të qeverisë 2/3 e qytetarëve në këtë vend.

Braçe gjykon se mandati i Tiranës nuk negociohet, beteja për Tiranën nuk është betejë për pushtetin personal të Edi Ramës, por betejë për të zhbërë një skemë kriminale të vjedhjes së zgjedhjeve dhe shpëtimin e zgjedhjeve si instrument demokratik.

Sipas tij, ka dy rrugë rrugë: rruga institucionale-reforma të thella të sistemit politik dhe të administrimit të zgjedhjeve, që kërkon pjesëmarrje dhe iniciativë dhe PS prej dy vjetësh nuk ka bërë jetë parlamentare normale dhe kjo krijon atë që PS të shihet si një parti që ikën dhe jo një parti në betejë.

Kjo, sipas Braçes, është serioze dhe kërkon një vendimmarrje të re të trupës parlamentare për angazhimin, rolin, detyrat dhe administrimin e pakicës bllokuese, si kusht për reformat jetike të demokracisë, pjesëmarrje në institucionet kushtetuese. Ndaj, “propozoj kthimin e menjëhershëm të deputetëve të PS-së në Kuvend, me një qëllim të përbashkët dhe një strategji konkrete, me një alternativë popullore të përballjes me Berishën”, u shpreh Braçe.

Rruga tjetër, jashtëinstitucionale, ajo e protestave synon të imponojë garancitë kushtetuese e demokratike të lirisë. “Opozitarizmi duhet të bartë vullnetin e popullit, beteja duhet të vazhdojë në Kuvend dhe në sheshe, por mbi të gjitha përballë me Sali Berishën. Të dyja rrugët nuk përjashtojnë njëra-tjetrën”, shprehet deputeti socialist.

Braçe propozon disa reforma në bashkëpunim me demokratët, që, sipas tij, duhet t’i paraprijnë  Shqipërisë së 100 viteve që vijnë. Këtu ai përfshin reformën e Kushtetutës, e cila duhet të zgjidhë krizën e të garantojë liritë dhe të drejtat e demokracisë, reformën e sistemit politik, sistemit zgjedhor dhe të administrimit të zgjedhjeve, reformën e sistemit të drejtësisë dhe reformën administrative dhe të sistemit të gjendjes civile.

Duke theksuar se zgjedhjet e 8 majit dëshmuan se PS është sot organizata më e madhe politike në vend, ai gjykon se si e tillë kjo parti duhet të hapë dyert për të pritur ide, projekte e programe që ideojnë të ardhmen e përbashkët. “PS duhet të jetë më shumë se organizatë, duhet të jetë një “mënyrë jetese”, model lirie dhe zhvillimi, model organizimi dhe bashkëjetese, model komunikimi dhe debati, model rregullash dhe bashkimi, model nderi dhe transparence”, thotë Braçe.

Sipas tij, mandati politik i 8 majit duhet përdorur në PS për një program të ri, pasi sot partia më e madhe në vend prej gati dy vitesh është pa një program themelor të sajin.

“Programi duhet të shpallë vlerat më të mira të së majtës europiane, lirinë politike, lirinë e shprehjes, lehtësitë ekonomike, garantimin e pronës publike dhe private, zhvillimin e bujqësisë, arsimin dhe shëndetësinë etj. Ndaj unë propozoj ngritjen e menjëhershme të një grupi në PS që të hartojë programin e ri të partisë, nisjen e një analize në çdo qendër votimi me bazë rezultatet e zgjedhjeve që përfshin këdo, kryesinë, Asamblenë deri në organizatën më të vogël, me produkt rivitalizimin institucional të PS-së”, u shpreh Braçe në diskutimin e mbajtur në Asamblenë e Partisë Socialiste.