|
|
e Shtunë, 05 Maj 2012 16:41 Tiranë (PLOTESUAR 17:45)- Me anë të një njoftimi për shtyp, Qeveria Shqiptare shprehet se “dënon me ashpërsi arrestimet, keqtrajtimet, bastisjet e shqiptarëve nga fallangat serbe në Luginën e Preshevës, ditën e heshtjes elektorale, si një akt terrori policesk, me qëllime të ulëta politike”.
“Qeveria mbështet plotësisht deklaratën e këshillave komunale të tre komunave të Luginës së Preshevës për këto akte të shëmtuara të autoriteteve të Beogradit që, me dhunë dhe terror, duan të pengojnë shqiptarët të zgjedhin përfaqësuesit e tyre”, thuhet në njoftim. Qeveria Shqiptare u bën thirrje shqiptarëve në të tri komunat të marrin pjesë masive në zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre legjitim dhe të dënojnë me votën e tyre aktet primitive të dhunës zyrtare të ushtruar nga autoritetet e Beogradit ndaj tyre. (LajmeShqip.com)
*************************
Tiranë (PLOTESUAR 17:20)- Në një deklaratë për mediat, PS shprehet se “bastisjet e arrestimet e shqiptarëve në afërsi të Bujanocit dhe proceset e montuara polikisht, si dhe zhvillimi i zgjedhjeve në atmosferën e frikës, panikut e presioneve, vënë në diskutim standardet demokratike ndërkombëtare për respektimin e të drejtave të njeriut të detyrueshme për çdo vend”.
Partia Socialiste bën thirrje për uljen e tensioneve ndëretnike. Partia Socialiste shpreh mbështetjen e saj të plotë për faktorin politik shqiptar në përpjekjet e tij për përballimin me maturi e pjekuri të provokimeve dhe të tentativave për zbrazjen e Luginës së Preshevës nga shqiptarët (LajmeShqip.com)
***************************
Bujanoc – Mijëra shqiptarë sot protestuan në Bujanoc me porositë e drejtuar Beogradit dhe bashkësisë ndërkombëtare për të ndalur terrorin dhe dhunën serbe në këtë rajon me shumicë shqiptare. Protesta gjithëpopullore që u zhvillua në sheshin “Skenderbeu” ka pasur mbështetje masive nga shqiptarët e tre komunave, por edhe qytetarëve të ardhur nga Kosova dhe Maqedonia.
Gjatë protestës janë vërejtur forca të shumta të policisë dhe xhandarmerisë serbe, të cilat kanë tentuar të provokojnë situatën.Kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi theksoi se Serbia po tenton që të dëbojë shqiptarët nga trojet e veta, por këtë asnjëherë nuk do ta realizojë, sepse kanë ikur kohërat e Millosheviçave. “Daçiqi ta dijë mirë se shqiptarët asnjëherë nuk do të largohen nga trojet e veta. Ne do të jemi edhe më të fortë dhe më të bashkuar si asnjëherë më parë. Daçiqi po tenton që të shkaktojë gjendje të jashtëzakonshme në Bujanoc dhe Luginë, por këtë duhet ta harrojë “, theksoi Kamberi. Kryetari i këshillit komunal dhe lideri i LPD-së, Jonuz Musliu porositi Beogradin që të shmanget dhe të heq dorë nga skenaret millosheviqiane. “Serbia dhe Daçiçi le të harrojnë se mund të bëjnë spastrim etnik në Bujanoc dhe komunat e tjera të shqiptare”, apeloi Musliu.
Gjatë tërë protestës janë bërë thirrje kundër regjimit serb dhe kundër ministrit Daçiç, duke e quajtur si “Daçiç – Djali i Millosheviqit”, “Stop Diskriminimit”, “Bujanoci është Kosovë Lindore dhe nuk zbrapset”, “Të reagojë bashkësia ndërkombëtare kundër regjimit serb”, etj.
Liderët e partive politike shqiptare i bën thirrje Beogradit se nuk do të bojkotojnë zgjedhjet, edhe pse ishte një skenar i tillë i përgaditur për të arritur që përmes situatës së tensionuar shqiptarët nesër të mos dalin në votime. “I bëjmë me dije se nuk bojkotojmë zgjedhjet, se ky ishte qëllimi i tyre”, theksoi kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, duke komentuar mediat e sotme serbe, të cilat që në mëngjes paralajmëruan se në Bujanoc shqiptarët do të bojkotojnë tërësisht zgjedhjet e gjashtë majit, përfshirë edhe ato lokale.
Ata apeluan që shqiptarët kudo që janë nga tri komunat të kthehen nesër në vendlindje dhe të japin votën e tyre për të ruajtur vendlindjen dhe të ardhmen e këtij rajoni. Më poshtë mund të ndiqni videon mbi protestë e sotme. Protesta Bujanoc 05 05 2012 (LajmeShqip.com)